Nënshkruhet Memorandum i Bashkëpunimit mes KPK-së dhe KGJK-së
Prishtinë, 2 mars – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Jetish Maloku dhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj, kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit për zbatimin e fazës tranzitore (fazës së katërt) të Sistemit për Menaxhimin Elektronik të Lëndëve (SMIL) në gjykatat dhe prokuroritë e vendit.
Në ceremoninë e nënshkrimit, u tha se ky akt i rëndësishëm ndërinstitucional nënshkruhet, duke pasur parasysh kompleksitetin e zbatimit dhe arritjet e deritashme të SMIL-it dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit të mëtejshëm mes KPK-së dhe KGJK-së, në mënyrë që të sigurohet një sistem i qëndrueshëm elektronik, i cili ndihmon në forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë në përputhje me standardet dhe vlerat e BE-së.
Gjithashtu, KPK-ja dhe KGJK-ja u pajtuan se, do të punojnë ngushtë në të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me zbatimin, financimin, planifikimin dhe organizimin e këtij projekti madhor digjital, me anë të të cilit mundësohet rritja e transparencës, efikasitetit dhe sigurohet funksionimi i drejtësisë në mënyrë më efikase, më cilësore dhe me kosto efektive.
Me këtë rast, në përfundim të kësaj ceremonie, kryesuesit e dy këshillave nënshkruan edhe kërkesën e përbashkët drejtuar Projektit EUKOJUST për lokacionin e Qendrës së Rimëkëmbjes për Teknologji Informative, e cila do të përdoret për qëllime të gjykatave dhe prokurorive.