Nënshkruhet Marrëveshja për Ripranim mes Kosovës e Çekisë
Pas takimit ndërmjet dy ministrave, u nënshkrua Marrëveshja për Ripranim si dhe protokolli përkatës për zbatimin e kësaj marrëveshje, në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Çekisë. Kjo marrëveshje është vazhdimësi e punës së MPB-së, në frymën e përmbushjes së kritereve për Liberalizimin e Vizave.
Ministri Rexhepi falënderoi Qeverinë e Republikës së Çekisë për përkrahjen dhe kontributin e dhënë në njohjen dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.
Në emër të Qeverisë së Kosovës, dua të falënderoj Republikën e Çekisë për kontributin e madh, në tërë proceset që kemi kaluar si shtet, sidomos tani në procesin për Liberalizimin e Vizave dhe integrimeve evropiane, tha ministri Rexhepi.
Ndërsa ministri Schwarzenberg, pasi vlerësoi progresin e arritur në Kosovë, tha se takimi me ministrin Rexhepi është si rezultat i një bashkëpunimit të shkëlqyeshëm në mes të dy shteteve. Një nga arsyet e këtij takimi është nënshkrimi i Marrëveshjes për Ripranim, që është një bazë e mirë për fillimin e Procesit të Liberalizimit të Vizave, tha ai.
Ministri Schwarzenberg theksoi se mbështetja e Republikës së Çekisë për Republikën e Kosovës do të vazhdojë edhe më tutje.