Nënshkruhet Marrëveshja për Ripranim me Slloveninë
Prishtinë, 10 maj -Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi priti sot ministren e Punëve të Brendshme të Sllovenisë, Katarina Kresal.
Pas takimit ndërmjet dy homologëve, u nënshkrua Marrëveshja për Ripranim në mes Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Sllovenisë. Kjo marrëveshje është vazhdimësi e punës së MPB-së për Agjendën Evropiane dhe Liberalizimin e vizave.
Pas nënshkrimit të Marrëveshjes, ministri Rexhepi falënderoi Qeverinë e Sllovenisë për përkarhjen e dhënë shtetit të Kosovës për kontributin e madh në njohjen dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe tani në Procesin Liberalizimit të Vizave.
Në emër të Qeverisë së Kosovës dua ti falënderoj për kontributin e madh të Sllovenisë në tërë proceset që kemi kaluar si shtet, sidomos në iniciativat për liberalizimin e vizave që burojnë nga Sllovenia, pasi që kemi një përkrahje parimore nga ky shtet, sidomos pasi që u bë anëtare e Unionit Evropian, tha ministri Rexhepi.
Në këtë takim, ministri Rexhepi falënderoi shtetin slloven edhe në ndihmën e dhënë në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit me Policinë Sllovene si pjesë e EULEX-it dhe në kontigjentin Slloven në KFOR.
Ne jemi shumë të kënaqur edhe me punën e pjestarëve sllovenë në KFOR ku numërojnë mbi 300 trupa. Po ashtu jemi të kënqur me përfaqësuesit e Policisë së Sllovenisë në kuadër të EULEX-it, theksoi ministri Rexhepi
Falënderim i veçantë u bë për ndihmën në fushën e ekonomisë dhe zhvillimit.
Ndërsa ministrja Kresal, tha se takimi me ministrin Rexhepi është si rezultat i një bashkëpunimi të mirë në mes të dy shteteve dhe në veçanti në mes të dy policive. Ajo theksoi se: Një nga arsyet e këtij takimi është nënshkrimi i Marrëveshjes për Riatdhesim, që është një bazë e mirë për Procesin e Liberalizimit të Vizave.
Ministrja Kresal tha se Sllovenia ka qenë shteti që ka filluar këtë procedurë për liberalizimin e vizave për të gjitha ish-republikat e ish-Jugosllavisë dhe se ende janë forca që e udhëheqë këtë proces më tutje.
E di që është një dëshirë e madhe këtu në Kosovë për liberalizimin e vizave dhe është komplet e kuptueshme. Ne do të luajmë rolin tonë pozitiv edhe më tutje. Hapi më i vështirë është të merret Udhërrëfyesi për të ardhur në procedurat e negocimit dhe shpresoj që nuk do të zgjasë shumë gjatë, tha ministrja Kresal.
Gjatë kësaj vizitë u bisedua edhe për sigurinë në rajon dhe u tha se së shpejti pritet të nënshkruhet një marrëveshje për siguri në mes të dy shteteve dhe në trajnimin e policive.