Në Veri të Mitrovicës regjistrimi nuk ka nisur fare
Mitrovicë, 4 prill - Gjatë dy javëve të fundit situata e sigurisë në Mitrovicë, duke përfshi edhe veriun ka qenë dhe pa ndonjë incident që të reflektohej në gjendjen e përgjithshme.
Kështu vlerësuan të hënën përfaqësuesit e strukturave politike dhe atyre të sigurisë në takimin e rregullt të Komitetit të Sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.
Drejtori i kësaj drejtorie, Behxhet Bala, tha se në përgjithësi situata ka qenë e qetë dhe nuk ka pasur ndonjë incident serioz që do të ndikonte në gjendjen e përgjithshme.
Ai përmendi protestën e shoqatave të Luftës së UÇK-së në jug që ka kaluar e qetë si dhe një protestë tjetër në veri që poashtu ka kaluar pa incidente. Drejtori Bala tha se në veri është shënuar edhe një sulm fizik ndaj tre të rinjve shqiptarë.
Në këtë takim, nënkryetari i komunës, Riza Haziri, në cilësinë e kryetarit të Komisionit Komunal për Regjistrim (KKR), foli për ecurinë e procesit të regjistrimit.
Ai tha se regjistrimi ka nisur mirë dhe qytetarët janë duke e mirëpritur. Është dita e katërt e regjistrimit dhe nuk kemi pas ndonjë problem në lidhje me këtë proces.
Në anën tjetër, ai theksoi se në veri regjistrimi nuk ka nisur fare. Qytetarët serbë nuk kanë pranuar të përfshihen në KKR, ndërsa shqiptarët që jetojnë në veri janë të brengosur se nuk do të mund të bëhen pjesë e regjistrimit.
Ai sqaroi se një ditë para se të niste regjistrimi nga Enti i Statistikave të Republikës së Kosovës janë njoftuar se regjistrimin në veri, duke përfshirë edhe lokalitetet shqiptare do të bëj UNOPS-i.
Paraprakisht përgatitjet janë bërë që KKR-ja të merr përsipër regjistrimin e qytetarëve shqiptarë në fshatrat shqiptare të Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut si dhe lagjeve shqiptare në veri të Mitrovicës. Janë përzgjedhur regjistruesit, mandej kontrollorët, janë bërë trajnimet, por mandej situata ka ndryshuar.
Ai e cilësoi këtë si një vendim jo të mirë, për çka ka reaguar edhe Kuvendi i Komunës së Mitrovicës, duke shpreh keqardhje për një gjë të tillë. Dihet se nga KKR në Mitrovicë janë bërë të gjitha përgatitjet për regjistrimin e popullsisë edhe të këtyre vendbanimeve, andaj nuk shohim ndonjë arsye që të pengohet realizimi i këtij procesi.