Në veri të Mitrovicës ka shkelje të rënda të të drejtave të njeriut
Mitrovicë, 6 janar - Qendra Rajonale e KMLDNJ-së në Mitrovicë, në raportin vjetor të punës së saj, bënë të ditur se gjatë vitit 2014 në këtë komunë janë evidentuar shumë raste të shkeljeve të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
Nga kjo qendër rajonale gjatë vitit që lamë pas janë dërguar në qendër të KMLDNJ-së në Prishtinë gjithsej 322 informatë mbi shkeljet e të drejtave të njeriut, ndërkohë që kjo qendër ka dërguar edhe 281 memorandume të ndryshme.
Mësohet se fillimi dhe mbarimi i vitit 2014, gjegjësisht muaji janar dhe dhjetori janë veçuar si muaj në të cilët kanë ndodhur më së shumti raste të shkeljeve të të drejtave të njeriut në këtë komunë, konkretisht nga 41 raste brenda muajit.
Sipas kryetarit të Qendrës Rajonale të KMLDNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani, shkeljet më të shpeshta janë shënuar në veri të Mitrovicës, ku ka pas keqtrajtime të rënda të qytetarëve, si dhe pengim të rindërtimit të shtëpive shqiptare në trojet ku kanë qenë më parë.