Në veri kërkohen kushte për fushatë parazgjedhore
Mitrovicë, 30 shtator - Situata e sigurisë gjatë javës së fundit ka qenë më e qetë sesa java paraprake. Kështu u vlerësua të hënën në takimin e Komitetit lokal për siguri publike që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.
Drejtori i kësaj drejtorie, Behxhet Bala, si shqetësim përmendi aktivitetet e strukturave kriminale kundër mbajtjes së zgjedhjeve të 3 nëntorit në komunat e veriut.
Gjatë javës në veri është organizuar një protestë e udhëhequr nga ish-kryetarët e komunave paralele kundër daljes në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Ai tha se shenjë e mirë megjithatë është se në këto aktivitete ka shumë pak qytetarë që po i përkrahin. Muajve të fundit në veri vazhdimisht është vërejtur rënie e mbështetjes së qytetarëve për këto aktivitete të organizuara nga grupet ekstremiste.
Ndërsa, kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka shtruar nevojën për rritjen e vigjilencës nga strukturat e rendit gjatë kohës së fushatës.
Të gjitha strukturat e sigurisë, si ato vendore edhe ato ndërkombëtare duhet të kryejnë punën e vet në mënyrë që të krijohet mundësi për fushatë të qetë edhe në veri të qytetit.