Në veri, digjen dy automjete private
Mitrovicë, 19 dhjetor - Dy automjete private, në dy raste të ndara, janë djegur si rezultat i zjarrëvënjes së qëllimshme nga persona ende të panjohur, në veri të Mitrovicës.
Rasti i parë i zjarrvënjes është raportuar të ketë ndodhur rreth orës 02:20, të mëngjesit të sotëm, në lagjen Kodra e Minatorëve në veri të Mitrovicës, ndërsa vetura tip Peugeot 406, ngjyrë e bardhë, me targa KM, është djegur tërësisht. Pronari i veturës, përndryshe pjesëtar i Policisë së Kosovës në stacionin veri të Mitrovicës, i përkatësisë etnike serbe, është intervistuar nga policia.
Rasti i dytë i zjarrvënjes në veturë, është regjistruar rreth orës 03:10min, në rrugën Mbreti Petër, në veri të Mitrovicës, ndërsa vetura tip Hyundai IX-35 ngjyrë e zezë, me targa KM, ishte përfshirë në zjarr.
Dëme materiale janë shkaktuar në pjesën e parme të automjetit ndërsa zjarrfikësit kanë arritur që të shuajnë zjarrin.
Nuk është raportuar për të lënduar në njerëz ndërsa vlera e dëmeve materiale të shkaktuara në të dyja rastet nuk është përcaktuar.
Njësitë policore të cilat kanë reaguar në vend ngjarje ende nuk kanë arritur të konstatojnë mënyrën e kryerjes së akteve kriminale të zjarrvënjes.
Hetuesit policor dhe teknikët e kriminalistikës të cilët kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes në kërkim të provave materiale, nuk kanë arritur që të gjejnë material të dyshuar për të përcaktuar shkaktarin e zjarrit.
Lidhur me zhvillimin e hetimeve të mëtejme, hetuesit policor janë në pritje të raportit nga ekspertët për përcaktimin e shkaktarit të zjarrit.
Policia e Kosovës ka regjistruar rastet si vepër të dyshuar penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, njofton policia.