15 Janar 2025

Në Sllatinë përkujtohen 6 dëshmorët dhe 13 martirët

Kaçanik, 13 prill - Në përvjetorin e 16 të rënies, në fshatin Sllatinë, janë përkujtuar dëshmorët: Ramadan Xhokli, Isen Elezi, Shaban Elezi, Naim Beka, Agim Matoshi dhe Avni Shehu si dhe 13 martirë të lirisë.

Në emër të Këshillit organizues për shënimin e përvjetorit të të rënëve, ka folur Kemajl Murseli, bashkëluftëtar e njëherësh anëtar i Kuvendit Komunal.

Ai ka theksuar se e kemi për obligim që përherë ta kujtojmë veprën madhore dhe sublime të dëshmorëve dhe martirëve, prandaj edhe sot me pietet po i kujtojmë ata sepse ata nuk vdesin kur vriten por vdesin kur harrohen.

Sa herë shënojmë përvjetorët e dëshmorëve dhe martirëve, le të kujtojmë veprën e tyre për frymëzimin tonë në sfidat e rënda, le të kujtojmë rënien e tyre për të marr guxim qytetar e institucional, le të kujtojmë amanetin e tyre dhe të jemi besnik të tij, le të kujtojmë përkushtimin e tyre deri në vetëmohim për të qenë shëmbëllim i tyre, tha mes tjerash Murseli.

Ndërkaq, kryetari i Komunës, z. Besim Ilazi ka thënë se sot po na bashkon këtu përvjetori i 16 i rënies së dëshmorëve dhe martirëve, përvjetori i atyre që na bëjnë të ndihemi krenar për veprën e tyre. Dëshmorët dhe martirët me gjakun e tyre sollën lirinë e lavdia e tyre si gjerdan lirie do të stolisë përjetë ballin e Kosovës.

Falë gjakut të tyre populli ynë sot jeton i lirë, ndërsa kujtimi për ta do të jetë i përjetshëm. Popujt që harrojnë të kaluarën e tyre i nënshtrohen tjetërsimit, andaj ti kujtojmë e nderojmë gjithmonë ata që dhanë më të shtrenjtën, tha mes tjerash kryetari Ilazi. Në tubimin e organizuar pranë pllakës përkujtimore të 6 dëshmorëve e 13 martirëve të rënë, poshtë fshatit Sllatinë (te Ura e Madhe), në emër të OVL-UÇK-së ka folur z. Hajrush Kurtaj, ish zëvendëskomandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami”.

Ai ka thënë se Lufta jonë e re e cila zë një vend të rëndësishëm në historinë e kombit, është një rilindje e re dhe ngërthen në vete shumë elemente të fuqishme, përderisa ka numëruar një varg betejash të UÇK-sw të zhvilluara gjatë vitit 1999. Pas gjitha këtyre betejave të UÇK-së dhe pas rezultateve shembullore të arritura me aleancën e NATO-në dhe SHBA-ve, populli ynë frymon lirshëm dhe po ec drejt zhvillimeve të përgjithshme të vendit.

Në fund të fjalës së tij z. Kurti ka porositur që mos të ndalemi për asnjë çast së vepruari që ta bëjmë Kosovën ashtu siç e deshën dëshmorët, sepse për këtë na obligon gjaku i derdhur i tyre, përfundoi z. Kurti. Ndërkaq, në emër të familjeve të dëshmorëve pjesëmarrësit e tubimit përkujtimor i ka falënderuar Kastriot Xhokli, vëlla i dëshmorit Ramadan Xhokli. Pranë pllakës përkujtimore te Ura e madhe janë vendosur kurora lulesh, ndërsa më pas janë bërë homazhe te Varrezat e dëshmorëve, ndërkaq paraprakisht kryetari Ilazi bashkë me krerë të OVL- UÇK-së kanë vendosur kurora lule në vendin e rënies së dëshmorit Ramadan Xhokli, mbi lagjen Lamaj dhe dëshmorëve Isen Elezi e Shaban Elezi në Sllatinë.

Është shfaqur edhe një program kulturor artistik nga nxënësit e shkollës së Doganajve, ndërkaq këngëtari i mirënjohur Milaim Mezini para të pranishmëve ka promovuar dy këngë të reja kushtuar dëshmorëve Ramadan Xhokli dhe Isen Elezi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)