Në Gjykatën e Apelit, filluan punën tetë gjyqtarë të rinj
Prishtinë, 1 shtator - Tetë gjyqtarë të rinj, të cilët ditë me parë u dekretuan nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës, znj.Atifete Jahjaga, sot kanë filluar punën në Gjykatën e Apelit. Gjashtë nga ta, kontributin e vet do ta japin në Departamentin e Përgjithshëm- Divizioni Civil, një në Departamentin e Çështjeve Ekonomike, dhe një tjetër në Departamentin e Krimeve të Rënda.
Gjyqtarët në fjalë, janë dëshmuar për sukses dhe profesionalizëm në gjykatat themelore ku kanë shërbyer deri me tani. Pesë prej tyre, Mahir Tutuli, Hava Haliti, Albert Zogaj, Nehat Idrizi dhe Rafet Haxha, vinë nga Gjykata Themelore e Prishtinës, ndërsa tre të tjerët, Qerim Ademaj nga Gjykata Themelore Pejë, Fejzullah Rexhepi - Gjykata Themelore në Ferizaj, dhe Isa Shala - Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj.
Me angazhimin e tyre, numri i përgjithshëm i gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, arrin në 38. Në bazë te planit të punës, pritet që kjo gjykatë, tash e tutje, të kryej për çdo muaj, mbi 200 lëndë me shumë.