Në gjashtë mujorin e parë janë riatdhesuar 33 persona
Mitrovicë, 3 korrik - Në komunën e Mitrovicës në periudhën e parë gjashtë mujore janë riatdhesuar 33 persona, sipas paraqitjeve që ata kanë bërë në Zyrën Komunale për Kthim, ndërkaq janë parashtruar 51 kërkesa për mbështetje, ka bërë të ditur koordinatori për kthim dhe ri-integrim, Bedri Sadiku.
Sipas tij, detyra primare e zyrës së kthimit është puna rreth ri-integrimit të personave të riatdhesuar konform Rregullores 20/2013 dhe rregullores së re 08/2015, ku janë paraqitur kriteret për përfitim nga personat të cilët kanë dal jashtë shtetit të Kosovës para datës 28 korrik 2010.
Zyra ka për obligim të njoftoj, informoj dhe regjistroj përmes sistemit të menaxhimit të rasteve, prezantimin dhe dërgimin e lëndëve Komisionit Komunal për Ri-integrim, i cili është i përberë nga përfaqësuesit e drejtorive komunale.
\"Në këtë periudhë ka pasur për shqyrtim një numër i konsideruar të rasteve, konkretisht gjatë periudhës një janar - 30 qershor janë parashtruar 51 raste për shqyrtim (40 nga komuniteti shqiptarë,10 nga komuniteti romë, 1 ashkali) prej të cilave 31 raste të miratuara, 10 raste janë refuzuar (mosplotësim i kritereve), 2 raste të pezulluara dhe 8 raste janë në proces\", tha Sadiku.
Këtij volumi të punës duke shtuar edhe 33 raste të personave të riatdhesuar të paraqitura për ndihmë, kërkesa këto të parashtruara nga personat të cilët kanë shkuar jashtë Kosovës këtë vit.
Këta persona njoftohen me Rregulloren e datës 08/2015 dhe mundësitë e ndihmës përmes trajnimeve të ndryshme, të cilat i organizon MPB-ja dhe organet në nivelin lokal dhe paraqitjes në Zyrën e punësimit, nga programi i UNDP, i cili ka të siguruar mjete financiare për ndihmë sipas kritereve të tyre.
Sadiku ka njoftuar po ashtu, se Komisioni komunal për ri-integrim (KKR) gjatë kësaj periudhe 6 mujore të vitit 2015 ka mbajtur 9 mbledhje, në të cilat janë shqyrtuar gjithsejtë 84 raste të qytetarëve.