Në Bern zhvillohet dialogu i Partneritetit për Migrim
Bernë, 13 maj Në Bern të Zvicrës sot po zhvillohet dialogu i shtatë me radhë i Partneritetit për Migrim midis palës kosovare, të kryesuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe me pjesëmarrje të përfaqësuesve nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ajo e Shëndetësisë, e Diasporës, Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bern, si dhe palës zvicerane e prirë nga Sekretariati i Shtetit për Migrim.
Për dallim nga viti i kaluar, Kosova zhvillon këtë dialog nga një pozicion shumë më i favorshëm meqenëse numri i migrantve ilegalë të cilët kishin dal në masë të madhe nga Kosova në fillim të vitit 2015 ka disa muaj që thuajse është ndalur krejtësisht. Këtë progres të Kosovës në menaxhimin e mirë të migrimit dhe riatdhesimit e ri integrimit të të kthyerve e ka vlerësuar lartë delegacioni zviceran i cili njëkohësisht ka përgëzuar institucionet e Kosovës për masat e ndërmarra në parandalim të migrimit të parregullt.
Gjatë këtij takimi janë prezantuar një numër projektesh të cilat priten të mbështeten nga Zvicra në muajt në vijim e që kanë të bëjnë me sigurinë kufitare, riintegrimin e të kthyerve si dhe zhvillimin e mëtejmë të bashkëpunimit policor.
Vëmendje të veçantë në këtë takim i është kushtuar edhe masave të nevojshme për të mbajtur këtë trend të migrimit sidomos pas heqjes së vizave nga BE-ja për qytetarët e Kosovës. Pala kosovare ka shprehur përkushtimin se do të ndërmarrë një fushatë për të sensibilizuar opinionin publik lidhur me kushtet e udhëtimit pa viza që assesi nuk nënkuptojnë punësim apo qëndrim afatgjatë në vendet e Schengenit, ku bën pjesë edhe Zvicra.