Në AKSP janë trajnuar mbi 4660 pjesëtarë të sigurisë publike
Prishtinë, 17 janar - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), i cili është institucioni më i lartë për trajnimin e pjesëtarëve të sigurisë publike në vend, gjatë vitit 2012 kanë kryer trajnime mbi 4660 pjesëtarë të sigurisë publike. Në AKSP janë zhvilluar edhe shumë aktivitete tjera që lidhen më fushën e sigurisë në vend.
Brenda vitit 2012 janë mbajtur 281 trajnime nga të gjitha agjencionet e sigurisë publike si, Policia e Kosovës (PK), Agjencia për Menaxhim Emergjent (AME), Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), Dogana e Kosovës (DK), Inspektorati Policor i Kosovës etj.
AKSP gjatë gjithë kohës ka ofruar trajnime me kualitet të lartë profesional me standarde ndërkombëtare. Kontribut të veçantë në realizimin e këtyre trajnime dhe ngritjen e kapaciteteve të AKPS-së kanë dhënë dy partnerët kryesorë OSBE-ja dhe ICITAP-i.
Përveç pjesëmarrësve nga Kosova, në Akademi janë trajnuar edhe pjesëtarë të sigurisë publike nga shtetet e rajonit nga Kroacia, Bosnja, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i zi.
Përpos trajnimeve, në AKSP janë zhvilluar edhe shumë aktivitete tjera siç janë Miniolimpiada për persona me aftësi të kufizuara, garat ndërkombëtare të ping-pongut, Seminari Sport for youth, kampi dyditorë për të rinj etj.
Si rezultat i resurseve dhe mjedisit të saj, AKSP është bërë vendqëndrim primar i trajnimit për një fushë të gjerë të sigurisë publike dhe një degë e zbatimit të trajnimit. Vizioni i AKSP-së është që edhe në të ardhmen të përgatisë dhe të aftësojë punonjës të mbajtjes së rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.