Në 2016 Gjykatat përmirësojnë efikasitetin e menaxhimit të Lëndëve
Prishtinë, 11 prill - Gjyqësori i Kosovës ka arritur progres substancial në vitin 2016 duke përmirësuar efikasitetin e punës gjyqësore me zvogëlimin e numrit të lëndëve të pazgjidhura për më shumë se 10%, përkundër një rritjeje prej më shumë se 37,000 të lëndëve të reja, të pranuara gjatë vitit 2015.
Numri i tërësishëm i lëndëve është zvogëluar nga 440.627, që ishte në fillim të vitit 2016, në 399.031 në fund të vitit, e që është numri më i ulët që nga riorganizimi i gjykatave në fillim të vitit 2013.
Në fillim të vitit 2016 kanë qenë të hapura 440.627 lëndë. Gjatë vitit gjykatat kanë pranuar 438.412 lëndë, ndërsa, kanë zgjidhur 479.937 lëndë, që janë 41.535 më shumë se sa numri i lëndëve të pranuara, që do të thotë se gjykatat kanë zgjidhur 9.4% më shumë sesa kanë pranuar lëndë të reja.
Shkalla e gjithmbarshme e pastrimit (proporcioni ndërmjet numrin të lëndëve të zgjidhura ndaj atyre të pranuara) ishte 110.1 %. Shkalla e pastrimit për të gjitha gjykatat themelore ishte afër, ose më lartë se 100%. Shkalla e pastrimit për Gjykatën Themelore të Prishtinës, që është Gjykata më e madhe në vend, ishte 104.5%.
Përfitimet më të mëdha janë arritur përmes zvogëlimit të numrit të lëndëve të kundërvajtjeve, nga 210.983 lëndë në fillim të vitit, në 189.734 lëndë në fund të vitit, që do të thotë, zvogëlon numrin prej 21.249 lëndësh. Ndërsa, përmbarime nga 95.479 lëndë në fillim të vitit, në 74.505 lëndë në fund të vitit, një zvogëlim prej 20.974 lëndësh.
Përfitime të rëndësishme janë realizuar edhe në krimet e rënda ku numri i lëndëve është zvogëluar nga 5.593 lëndë në fillim të vitit, në 4.840 në fund të vitit, që paraqet shkallë pastrimit prej 132.5%.
Numri i lëndëve civile është ulur, nga 42.560, me shkallë pastrimit prej 113%. Megjithatë, numri i veprave penale të lehta është rritur me 4.6% nga 38.549, në 40.329.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqesor të Kosovës, Nehat Idrizi, është shprehur se, Këshilli Gjyqësor i Kosovës është i kënaqur me këtë progres në drejtim të efikasitetit të përmirësuar në përpunimin e lëndëve. Krahas përmirësimit të llogaridhënies dhe transparencës, kjo është njëra nga prioritetet më të rëndësishme të gjyqësorit. KGJK-ja, ka përgjegjësinë e përcaktimit të prioriteteve dhe mbikëqyrjes gjyqësore, kryetaret e gjykatave, në bashkëpunim me gjyqtaret janë ata që menaxhojnë veprimet në gjykata dhe përballen me sfidat e përditshme për t\'u siguruar se lëndët trajtohen drejtë dhe në mënyrë efikase. Gjithashtu, Idrizi ka çmuar përkrahjen e partnereve ndërkombëtarë, përfshirë USAID, EULEX, Këshillin e Evropës etj.
\"Por, edhe pse ne jemi të kënaqur me përmirësimet në vitin 2016, mbetet akoma punë për t\'u bërë, sistemi gjyqësor ka nevojë të vazhdojë përmirësimin e efikasitetit, ashtu që lëndët të procedohen më shpejtë dhe njëkohësisht të ruhet edhe cilësia. Gjykatat Themelore po zhvillojnë planet për përmirësimin e menaxhimit të lëndëve në gjykatat përkatëse, ashtu që të vijojë progresi. Në vitin 2016, ngarkesa me lëndë në Gjykatën e Apelit ka vijuar të rritet dhe ne po punojmë me kryetarin e Gjykatës dhe koleget e tij që në vitin 2017, të ketë përmirësim të efikasitetit\"- ka theksuar në mes të tjerash, kryesuesi Idrizi.
Gjatë vitit të kaluar, kryesuesi i KGJK-së dhe koleget e tij kanë shtuar përpjekjet për të punuar së bashku me kryetaret e gjykatave themelore dhe administratorët e gjykatave për sfidat me të cilat përballen gjykatat si dhe për përmirësimin e performancës.
Kryetaret e gjykatave e vlerësojnë se, mbështetja teknike e ofruar nga USAID ka ndikuar dukshëm në përmirësimin e efikasitetit të punës në gjykata me qëllim të arritjes së një sistemi të drejtë, funksional dhe transparent.