Ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes e SHBA-së, viziton FSK-në
Prishtinë, 13 korrik - Ministri dhe Komandanti i FSK-së pritën ndihmës Sekretaren e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës Dr. Evelyn N. Farkas.
Në ambientet e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, ministri i MFSK-së Agim Çeku dhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastrati pritën në takime të ndara, ndihmës sekretaren e ministrisë së mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Rusi/Ukrainë dhe Euroazi z. Evelyn N.Farkas e shoqëruar nga gjeneral major Rady A.KEE.
Ministri Çeku informoi mysafirët me rezultatet e arritura, zhvillimin aktual në FSK dhe angazhimet për ngritje dhe profesionalizim e më tejmë në përputhje edhe me rekomandimet e Rishikimit të Sektorit Strategjik të Sigurisë së Kosovës.
Me këtë rast Ministri Çeku ka falënderuar ndihmës sekretaren e mbrojtjes z.Farkas dhe gjeneralin KEE për mbështetje të vazhdueshme që po japin Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zhvillimin dhe rritën e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ndërsa, ndihmës sekretarja e mbrojtjes z.Farkas falënderoi Ministrin Çeku për pritjen dhe premtoi se edhe në të ardhmen SHBA do ta ndihmojë dhe mbështes FSK-në në transformimin e saj në Forcë të Armatosur të Kosovës.
Ndihmës sekretarja e mbrojtjes z.Farkas gjithashtu pati takim edhe me komandantin e FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastratin. Gjeneral Kastrati e informoi z. Farkas rreth angazhimeve të FSK-së, për operacionet e vazhdueshme të deminimit, kërkim shpëtimit dhe ato humanitare. Theks të veçantë në këtë takim iu kushtua stërvitjes, shkollimit dhe edukimit të pjesëtarëve të FSK-së.
Të dyja palët u dakorduan. se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen përmes programeve të partneritetit me Gardën Kombëtare të Iowas dhe Ambasadës amerikane.
Me respekt