27 Dhjetor 2024

Ndihmat e Rusisë, vazhdojnë të qendrojnë në veri

Mitrovicë, 15 dhjetor - Edhe pse nga Brukseli thonë se është arritur marrëveshja ndërmjet Komisionit Evropian dhe Rusisë për kalimin e konvojit me ndihmat ruse në pjesën veriore të Kosovës, një gjë e tillë mohohet të ketë nisur së zbatuari në terren.

Zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, i tha Radios Evropa e Lirë se konvoji ka qëndruar edhe gjatë natës në pikën kufitare 1 në Jarinë dhe se as të enjten nuk ka pasur ndonjë lëvizje të re në terren.

“Çfarëdo marrëveshjeje që mund të bëhet, me gjasë, do të mund ta ndryshojë këtë status. Mirëpo, arsyeja kryesore përse ata kamionë janë ndalur në atë pikë, është pikërisht mosrespektimi i procedurave doganore të Republikës së Kosovës. Nëse arrihet një marrëveshje e çfarëdo lloji, besoj se do të kemi ndryshim edhe në terren”, u shpreh Hoti.

Komenti i tij pason deklaratën e zëdhënëses së shefes së diplomacisë evropiane, Maja Kocijançiq, e cila u tha mediave serbe se Komisioni Evropian ka arritur një marrëveshje me Qeverinë e Rusisë për të siguruar depërtimin e konvojit me ndihma humanitare nga Rusia te serbët e pjesës veriore të Kosovës.

Mirëpo, edhe në misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit duket se nuk janë të njoftuar për një marrëveshje të tillë.

Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, përfaqësuesit e këtij misioni nuk e komentuan këtë deklaratë, ndërsa mohuan të ketë pasur ndryshime në terren.

Rrjedhimisht, deri më tani, në Jarinë vazhdojnë të mbesin tre kamionë, përmbajtja e të cilëve nuk dihet saktësisht.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve Itar-tass, kamionët transportojnë produkte ushqimore, veshmbathje, enë dhe mobilie.

Për mënyrën e shpërndarjes së këtyre ndihmave foli të mërkurën mbrëma edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Ajo tha se ndihmat humanitare që vijnë në Kosovë duhet t’i ndjekin rregullat e njohura ndërkombëtare dhe procedurat që rregullojnë shpërndarjen e ndihmave.

“Sa u përket ndihmave humanitare që po vijnë në një pjesë të kufijve të territorit të Republikës së Kosovës, së pari ka disa rregulla dhe rregullore, të cilat duhet të respektohen në përputhje me konventat ndërkombëtare për ndihmat humanitare dhe, së dyti, duhet bindur rregullave të vendit për sa u përket ndihmave humanitare, sepse po hyni në një vend të pavarur”, tha presidentja Jahjaga gjatë vizitës së saj në Uashington.

Procedurë standarde, për autoritetet përgjegjëse në Kosovë mbetet përcjellja e konvojit nga policia - në këtë rast nga ajo e EULEX-it, procedurë kjo, të cilën e kundërshton Moska zyrtare. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)