Ndezja e zjarreve për 1 maj do të dënohet
Prishtinë, 30 prill - Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka bërë të ditur se djegia e gomave apo zjarreve për 1 maj do të dënohet.
Ndezja e zjarreve pa kontroll ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e njeriut, pasurinë private dhe shoqërore, si dhe ka degraduar mjedisin tonë edhe ashtu në gjendje jo të mirë.
Ndezja e gomave në ambient të hapur liron dyoksinën dhe materie tjera të rrezikshme.
Dyoksina dhe oksidet tjera që lirohen nga djegia e gomave dhe materieve tjera shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, si dëmtimin e organeve të frymëmarrjes, kancerin e mushkërive, dëmton lëkurën duke shkaktuar edhe shumë probleme të tjera shëndetësore.
Janë shpeshtuar rastet kur, nga pakujdesia, nga këto zjarre të pësojnë fëmijët, si dhe të digjen me mijëra hektarë pyje.
Ligji për mbrojtjen e ajrit ndalon rreptësisht djegien e gomave. Me ligj dënohet çdo person që kryen një veprim të tillë.
Ndezja e zjarreve të tilla, veçanarisht gjatë ditës së nesërme, bart me vete pasoja të mëdha për mjedisin. Vazhdimi i një praktike të tillë, është e pakuptimtë dhe e dëmshme për Republikën e Kosovës dhe imazhin e saj.
"Ju bëjmë me dije se janë të angazhuar të gjithë, Ministria, Policia e Republikës së Kosovës, si dhe inspektorët për vëzhgimin e territorit. Kushdo që zihet ose dëshmohet se ka ndez zjarre/goma do të dënohet", thuhet në njoftimin e MPMH-së.