Ndërron jetë polici Enver Zymberi
Prishtinë, 26 korrik - Enver Zymberi, pjesëtari i Policisë së Kosovës ka ndërruar jetë sonte rreth orës 22 e 10 minuta. Pjesëtari i njësisë speciale ka vdekur si pasojë e plagëve të marra në një prit në veri të Mitrovicës.
Polici i vdekur është i lindur më 1979, pjesëtar i njësisë ROSU nga vitit 2000, dhe është baba i tre fëmijëve.
Konfirmimin për vdekjen e Enverit e dhanë policia e Kosovës dhe mjekët e QKUK-së në një konferencë të jashtëzakonshme.
Me keqardhje u njoftoj se kolegu ynë Enver Zymberi, pjesëtar i Policisë së Kosovës, gjenerata e 10-të, sot rreth orës 2205, pas plagëve të marra ka ndërruar jetë, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Arbër Beka.
Sipas Bekës, si pasojë e të shtënave me armë në veri, është plagosur Enveri.
Nga ana tjetër, mjekët në QKUK kanë thënë se Enveri ishte goditur nga një predhë në kokë dhe nuk ka pasur mundësi të ndërhyrjes kirurgjike.
Kryeministri Thaçi me këtë rast ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes së policit të Kosovës, Enver Zymberi nga Dubovci i Vushtrrisë.
Me dhimbje të madhe morëm lajmin që polici i shtetit të Kosovës, Enver Zymberi, edhe përkundër përkushtimit të madh të ekipeve mjekësore, ndërroi jetë sonte, pas plagëve të marra nga sulmi i turmave të dhunshme që tentuan të bllokonin vënien e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në pikat kufitare në veri të Kosovës, por që nuk ia arritën, thuhet në telegram.
Thaçi ka thënë se vdekja e Enverit është një humbje e madhe jo vetëm për Policinë e Kosovës, por për mbarë popullin dhe institucionet e vendit.
Falë Enverit dhe policëve të kalibrit të tij të lartë, institucionet e Kosovës arritën të vënë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në pikat kufitare në veri të vendit. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta, përfundon telegrami i ngushëllimit.
Telegraf ngushëllimi kanë dërguar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.