Ndërmjetësimi lehtëson punën e gjykatave
Pejë, 25 prill - Sot në Pejë, Ministria e Drejtësisë - Komisioni për Ndërmjetësim në bashkëpunim me organizatën UNICEF, ka mbajtur tryezën me temë diskutimi Ndërmjetësimi në Kosovë përparësitë, sfidat dhe perspektiva.
Në këtë takim në të cilin kanë marrë pjesë përfaqësues nga institucione të ndryshme të cilët ndërlidhen me mandatin dhe rolin e ndërmjetësimit, Zëvendësministri i Drejtësisë, Abdyl Ymeri tha se Ministria e Drejtësisë ka dhënë përkrahjen maksimale karshi ndërmjetësimit.
Ai tha se në kuadër të reformave të vazhdueshme në sistemin e drejtësisë dhe prioriteteve të Ministrisë së Drejtësisë, rol i veçantë i është kushtuar funksionalizimit të sistemit të Ndërmjetësimit.
Qëllimi i procesit të ndërmjetësimit është zbutja e konflikteve dhe zgjidhja e tyre nga vetë palët. Është një proces gjatë të cilit ndërmjetësuesi ndihmon palët në konflikt që të arrijnë në një marrëveshje të pranueshme për vetë palët dhe njëkohësisht të mos jenë në kundërshtim me ligjin.\"
\"Ndërmjetësimi shikohet si mundësi e mirë për të lehtësuar punën e gjykatave nga proceset gjyqësore të thjeshta, si konfliktet dhe problemet e ndryshme të përditshme të qytetarëve, ka thënë Ymeri.
Zëvendësministri Ymeri potencoi faktin se tërë këtë proces e kanë mbështetur mjaftueshëm organizatat ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe UNICEF-in.