NATO vazhdon mbështetjen për FSK-në
Prishtinë, 20 qershor - Ministri FSK-së Haki Demolli priti sot në një takim pune zëvendësndihmësin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, John Manza. Në këtë takim ministri Demolli shoqërohej nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama.
Demolli ka shprehur falënderimet për përkrahjen e vazhdueshme që NATO po i jep MFSK-së dhe FSK-së përmes ekipit Këshillues Ndërlidhës të NATO-s (NALT). Ai falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg për letrën që i ka dërguar kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, ku janë identifikuar mundësitë e thellimit të bashkëpunimit.
\"Ministri Demolli theksoi bashkëpunimin e mirë me vendet e regjionit, me ushtritë e vendeve mike, veçanërisht me Gardën kombëtare të Ajovës dhe bashkëpunimin e mirë me KFOR-in përmes ushtrimeve të përbashkëta\", thuhet në një komunikatë të Ministrisë.
Mësohet se temë me rëndësi ishte edhe ajo transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. \"Ne jemi të bindur, se vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese duhet të bëhet ky ndryshim. Por siç po shihet procesi ka ngelë edhe më tej kusht i vendimmarrjes politike, e cila varet nga votat e deputetëve serb e që ngelet sfidë edhe për legjislaturën e ardhshme\", ka deklaruar Demolli.
Ndërsa komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka folur për përgatitjet dhe planifikimin e ushtrimit fushor Shqiponja 6 që do të mbahet në tetor, ku do të jenë pjesëmarrës ushtritë e më shumë se 10 shteteve.
Ai ka folur për aktivitetet konkrete që janë bërë për integrimin e komuniteteve pakicë në FSK e veçanërisht të komunitetit serb, pa ulur asnjëherë kriteret që ka FSK-ja. \"Transformimi i FSK-së po e pret vendimin politik, por është me rëndësi të thuhet se ne po punojmë shumë që të jemi gati për atë ditë dhe për këtë kemi kryer përgatitjet e nevojshme si dhe planifikimet afatmesme dhe afatgjata\", ka thënë Rama.
John Manza nga ana e tij ka shprehur kënaqësinë për arritjet dhe kualitetin e lartë të FSK-së. Ai u shpreh se letra e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s zotit Stoltenberg është dëshmi e përkrahjes që NATO i jep FSK-së. Manza theksoi se transformimi i FSK-së duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese dhe të mos jetë proces i ngutshëm por ecje me hapa të sigurt.