NATO përcjellë nga afër zhvillimet në Kosovë
Prishtinë, 12 prill - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim komandantin e NATO-s ne komandën e Napolit, admiralin Bruce W. Clingan.
Admirali Clingan tha se NATO vazhdon të jetë e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në forcimin e mëtejshëm të stabilitetit të saj, ruajtjen e paqes dhe krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Ai shprehu interesimin e veçantë të NATO-s që të ndihmojë konsolidimin dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës e cila sipas vlerësimeve të KFOR-it ka arritur kapacitetin e plotë operacional.
Admirali Clingan më tej theksoi që NATO përcjellë nga afër zhvillimet në Kosovë dhe pret që institucionet dhe populli i Kosovës të jenë vigjilent ashtu si edhe deri më tani dhe të mos lejojnë që incidentet individuale të përdoren për arritjen e qëllimeve politike dhe krijimit të një klime të pasigurisë e jotolerancës.
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, tha se forca paqeruajtëse NATO-s në Kosovë ka luajtur një rol të rëndësishëm në të gjitha periudhat e shtet ndërtimit të Kosovës. Ajo tha se Kosova është një rrëfim suksesi i përbashkët i popullit të Kosovës, institucioneve të saj dhe bashkësisë ndërkombëtare dhe theksoi se së bashku duhet të vazhdohet të vlerësohen të arriturat.
Presidentja Jahjaga tha se mbështetja e KFOR-it për institucionet e Kosovës është e nevojshme, posaçërisht, në komunat në veri të vendit, për të tejkaluar vështirësitë me të cilat po përballet Kosova.
Presidentja Jahjaga tha se sulmet me bomba dhe incidentet, si ai i fund javës së kaluar, kur u vra një qytetar dhe i lënduan familjarët e tij, janë të papranueshme. Presidentja Jahjaga bëri thirrje për qetësi me qëllim të mos lejimit të përshkallëzimit të situatës.
Ajo theksoi se bazuar në përgjegjësitë e saj kushtetuese dhe ligjore ka filluar një varg takimesh me udhëheqësit e mekanizmave të sigurisë, ata vendorë dhe ndërkombëtarë, për të vlerësuar situatën e sigurisë dhe për të bashkërenduar veprimet institucionale.
Presidentja Jahjaga tha se strukturat ilegale dhe kriminale në komunat në veri të Kosovës, të mbështetura nga Republika e Serbisë, po vazhdojnë të veprojnë dhe ato përbëjnë shkelje të sovranitetit dhe të integritetit territorial të Republikës së Kosovës, që kanë për qëllim kanë ndarjen e Kosovës.
Presidentja Jahjaga tha se e vetmja zgjidhje më e mirë për komunat në veri, është zbatimi i plotë i Planit Ahtisaari, që ofron një autonomi të gjerë komunale Presidentja Jahjaga tha se është e nevojshme ndihma e KFOR-it për të krijuar një mjedis të sigurt dhe të qetë me qëllim që shumica e qytetarëve në komunat veriore të Kosovës të jetojnë pa frikë nga strukturat ilegale.
Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Kosovës janë kundër mbajtjes së zgjedhjeve të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës sepse ato shkelin sovranitetin dhe minojnë legjitimitetin e institucioneve të Kosovës.
Ato gjithashtu pengojnë përparimin e arritur në vendosjen e mirëbesimit me komunitetin serb. Presidentja Jahjaga falënderoi admiralin Clingan, për punën që NATO po bën në përgatitjen dhe aftësimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ajo tha se FSK është sukses i përbashkët dhe një simbol i partneritetit dhe miqësisë afatgjate.
Presidentja Jahjaga theksoi se aspirata e Kosovës dhe vizioni për të ardhmen është anëtarësimi në BE dhe në NATO dhe tha se Kosova është e gatshme për të bërë të gjitha reformat të cilat do ta përafrojnë atë me këtë qëllim.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka bërë një përparim të rëndësishëm në marrëdhëniet e saj me BE-në dhe theksoi nevojën e përafrimit edhe me NATO-n, në veçanti përmes programit të Partneritetit për Paqe.