19 Mars 2024

NATO konfirmon mbështetjen për organizatat e sigurisë në Kosovë

Prishtinë, 28 mars - Në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes u mbajt ceremonia e pranim-dorëzimin të detyrës së drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT).

Me këtë rast gjeneral brigade Ralf Peter Hammerstein ka marrë detyrën e drejtorit të NALT nga gjeneral brigade Joachim Hoppe, i cili e ka drejtuar NALT që nga prilli i vitit 2022.

Në këtë ceremoni ishin Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, zv.ministri Shemsi Syla, zv.komandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, oficerë dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe NALT, si dhe të ftuar të tjerë.

E pranishme në këtë ceremoni ishte Shefja e operacioneve aktuale, Divizioni për Operacione i Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe.

Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti në mes tjerash, theksoi se Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, na mundëson të ruajmë sigurinë tonë aktuale dhe të sigurojmë një të ardhme drejt Partneritetit për Paqe dhe anëtarësimit në NATO.

Kryeministri Kurti shtoi se mbështetja nga NALT dhe në veçanti nga Gjenerali Hoppe, në hartimin e tre ligjeve bazë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, themelimin e komisionarit parlamentar për FSK-në dhe bashkëpunimin e ngushtë në përmirësimin e procesit të rekrutimit ishte vendimtare për përmirësimin efektiv të mbikëqyrjes demokratike civile të Forcës.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në fjalën e tij tha se kontributi i Gjeneralit Hoppe në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK është një dëshmi e lidershipit, ekspertizës dhe përkushtimit të tij ndaj vlerave dhe parimeve të NATO-s. Ministri Mehaj shtoi se përpjekjet e tij kanë ndihmuar në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës, duke kontribuar në sigurinë e përgjithshme të rajonit dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar.

Ndërsa drejtori në largim i NALT, gjeneral brigade Joachim Hoppe tha se ka qenë një nder i madh të përfaqësojë NATO-n këtu në Kosovë dhe se ndjehet krenar për punën që ka bërë NATO-ja dhe ekipi i tij në këshillimin e organizatave të sigurisë në Kosovë.

"Së bashku me homologët tanë kemi arritur progres në mbështetjen e zhvillimit të tyre, duke përfshirë edhe ofrimin e ndihmës në përforcimin e kontrollit civil dhe mbikëqyrjes demokratike."

"Veçanërisht jam kënaqur me atmosferën e besimit dhe bashkëpunimit të cilën e kemi pasur në aktivitetet tona të përditshme."

"Mbes jashtëzakonisht i impresionuar nga profesionalizmi dhe përkushtimi i treguar nga të gjitha organizatat e sigurisë në Kosovë, dhe mirëpres të dëgjoj më shumë për zhvillimin e tyre në të ardhmen”, ka thënë Hoppe.

Nga ana e tij, drejtori i ri i NALT, gjeneral brigade Ralf Peter Hammerstein u shpreh falënderues për mirëseardhjen e ngrohtë në Kosovë dhe theksoi se do të ruajë mbështetjen e NALT-it për organizatat e sigurisë në Kosovë duke vazhduar të ndërtojë më tej mbi përpjekjet e pararendësit të tij.

"Do të punoj ngushtë me homologët tanë të Kosovës për të arritur rezultatet e rëndësishme", tha ai.

Gjenerali Hammerstein ka një karrierë të dalluar në forcat e armatosura gjermane, duke qenë në shërbim në pozita të larta në Ministrinë Federale Gjermane të Mbrojtjes dhe në Ushtrinë Gjermane

Në këtë ceremoni Shefja e Operacioneve Aktuale, Divizionit të Operacioneve të SHP të NATO-s, Ariella Viehe e dekoroi Gjeneralin Hoppe me medalje të NATO-s.

Gjithashtu, Gjenerali Hoppe u dekorua me medaljen për “Shërbim të shquar” nga Ministri Mehaj si dhe me medaljen për “Shërbim vetëmohues” nga zv.Komandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi.

Që nga gushti i vitit 2016, misioni i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s është që të mbështesë zhvillimin e mëtejmë të organizatave të sigurisë në Kosovë, sipas mandatit të tyre origjinal.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)