NATO do të vendosë për të ardhmen e FSK-së
Prishtinë , 19 shkurt - Rishikimi i sektorit të Sigurisë që është pritur të rezultojë me ndryshim emri dhe mandati të Forcës së Sigurisë së Kosovës është diçka që zyrtarët e NATO-s thonë se nuk është diskutuar ende në nivel të saj.
Për më tepër zyrtarët e NATO-s i kanë thënë Radio Kosovës se vendimi nëse Forca e Sigurisë së Kosovës duhet të evoluoj do të merret nga Këshilli Veri- Atlantik.
Duket që do të jetë Këshilli Veri-Atlantik ai që do të thotë fjalën përfundimtare nëse mandati dhe misioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës do të duhet të ndryshoj.
Zyrtarët e NATO-s kanë thënë se nëse mandati dhe misioni i FSK-së ndryshon, kjo pritet të ndodhë pasi që Këshilli Veri-Atlantik ta shqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s.
Duke shpalosur elementin kryesor të dalë nga rishikimi strategjik i sektorit të sigurisë, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka bërë publike se Forca e Sigurisë së Kosovës do të shndërrohet në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK), e cila sipas tij, do ti ketë tërë tiparet e një ushtrie.
Por, këtë deklarim zyrtarët e NATO e kanë cilësuar të nivelit të brendshëm. Për më tepër, ata kanë thënë se NATO aktualisht mbështet Forcën e Sigurisë së Kosovës në mandatin e saj aktual.
Ne jemi në dijeni për deklaratën e Thaçi. Kjo është një çështje e brendshme e cila përfshin institucionet lokale. Siç e kemi përmendur edhe në përgjigjet e mëparshme, NATO aktualisht mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në kuadër të misionit dhe mandatit të saj fillestar, përmes Zyrës Ndërlidhëse të sapo themeluar të NATO-s dhe Grupit Këshillues, thuhet në përgjigjen e Departamentit për Marrëdhënie me Publikun të NATO-s për Radio Kosovën.
Sa i përket formatit të ardhmes së forcës ushtarake të Kosovës zyrtarët e NATO-s kanë thënë se kjo pritet të vendoset pas rishikimit që do ti bëjë Këshillit Veri- Atlantik prezencës së NATO-s.
/RTK/