NATO do të mbetet në Kosovë deri sa të jetë e nevojshme
Bruksel, 9 janar - NATO-ja ka pasur një vit të vështirë dhe të ngjeshur gjatë 2011 dhe, si parashikon sekretari i saj i përgjithshëm Anders Fogh Rasmussen, e pret një vit i ngjeshur edhe në vitin që posa kemi hyrë.
Samiti në Chicago, transformimi gradual i kompetencave në Afganistan, lufta kundër terrorizmit dhe shumë sfida të tjera. Kosova po ashtu mbetet sfidë për NATO-n.
Të përballur me nevojën për zvogëlimin e shpenzimeve shumë anëtarë të NATO-s duan të zvogëlojnë edhe kontributin në misionin në Kosovë.
Por situata në terren në pjesën e dytë të vitit të shkuar, kur shkallëzoi dhuna në veri, shërbeu si vërejtje se NATO-ja duhet të pres me vendimet për zvogëlim të pranisë në Kosovë.
Në një intervistë për Kohën Ditore, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, siguron se NATO-ja do të marrë parasysh situatën në terren para çfarëdo vendimi për ndryshim të pranisë së saj në Kosovë dhe se do të mbetet në Kosovë aq sa do të jetë e nevojshme.
Ai në këtë intervistë flet edhe për situatën në veri, për nevojën e gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme politike dhe insiston se Aleatët dhe partnerët, me gjithë dallimet rreth statusit të Kosovës, janë të përkushtuar që të ndërtohet një Kosovë stabile dhe e qëndrueshme për të gjithë qytetarët e saj.
Po ashtu Rasmussen i tha gazetës se liria e lëvizjes për KFOR-in, sikur edhe për të gjithë aktorët e tjerë dhe individët në Kosovë nuk është e negociueshme.
KFOR-i ka menaxhuar situatën në terren në pjesën veriore në një mënyrë të matur, në përputhje me mandatin tonë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.