NATO: Dhuna ndaj KFOR-it, e papranueshme
Bruksel, 29 nëntor - NATO ka shprehur shqetësimin në lidhje me zhvillimet në veri të Kosovës, ndërsa ka thënë se po e vëzhgon situatën me kujdes.
Përdorimi i dhunës kundër forcave të KFOR-it është e papranueshme, ka thënë zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu.
U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë përmbajtje dhe të bashkëpunojnë plotësisht me të gjithë aktorët ndërkombëtarë në terren për të siguruar lirinë e lëvizjes, tha ajo.
Zëdhënësja e NATO-s ka shtuar se misioni i KFOR-it është që të kontribuojë në ruajtjen e një ambienti të sigurt, lirisë së lëvizjes dhe sigurisë në Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ai e përmbush atë mision me kujdes dhe në mënyrë të paanshme, ka thënë Lungescu, për të shtuar se NATO-ja e përkrah plotësisht komandantin e KFOR-it në përmbushjen e mandatit të tij.