Natë e qetë në veri, rrugët mbeten të bllokuara
Mitrovicë, 25 tetor - Nata në veri të vendit ka qenë e qetë, por nën tensione, ndërsa një numër i serbëve ka qëndruar pranë barrikadave kryesore në Zupç, Jegenicë dhe Rudare, duke kujdestaruar sipas orarit.
Rrugët magjistrale që çojnë në drejtim të pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të mbeten të bllokuara, ndërsa është larguar nga vetë serbët të hënën mbrëma barrikada në Banjë afër Bërnjakut.
Kufiri në Bërnjak është i mbyllur për qarkullimin e automjeteve, por ushtarët e KFOR-it janë duke i drejtuar automjetet që vijnë në këtë vend në një rrugë alternative që ndodhet disa metra prapa vendkalimit të tanishëm.
KFOR serish ka apeluar që serbët të tërheqin barrikadat dhe të krijojnë kushte për lëvizjen e lirë.
Zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki, i cili deklaroi sot pasdite se një nga barrikadat e reja të vendosura fundjavën e kaluar është tërhequr në relacionin që çon drejt vendkalimit kufitar Bërnjak.
Barrikada e re që ishte vendosur nga serbët, pasi që KFOR kishte hequr një barrikadë të tyre, sot plotësisht është tërhequr, pas bisedimeve të komandantit të forcave të KFOR-it me serbët që gjendeshin në barrikadë. Me këtë ky vendkalim plotësisht është i hapur, theksoi Novicki për B92.
Ai ka shtuar se KFOR është i gatshëm për të hequr të gjitha barrikadat, mirëpo apeloi që serbët të ndjekin shembullin e tillë të tërheqjes së një barrikade.
Novicki i bëri me dije serbëve se pasuria e tyre në barrikada si kamionët dhe veturat nuk do të kompensohen nëse do të dëmtohen në rast të ndonjë aksioni për heqjen e barrikadave.
Nga ana tjetër, sekretari shtetëror i ministrisë për Kosovën në Beograd, Oliver Ivanoviç deklaroi se nuk është hequr asnjë barrikadë që çon drejt Bërnjakut dhe se me këtë ai ka përgënjeshtruar pohimet e KFOR-it. Sipas tij, ajo që është thënë nga KFOR është manipulim mediatik.