Natali Velijaj kapet në burg me celular
Prishtinë, 4 qershor - Gjatë ditës së hënë gardianët e kanë kapur me telefon në xhep të dyshuarën kryesore për zhdukjen e 1.4 milionëve të pasaportave biometrike, Natali Veliaj.
Ligjërisht telefonat mobil janë të ndaluar brenda burgut, ndërkaq, Nuhi Paçarizi avokat i saj, konfirmoi për Express konfiskimin e celularit të saj.
Gjatë të hënës Natali Velijaj kishte kërkuar me ngulm disa herë që gardianët ta lirojnë nga qelia për të shkuar në toalet. Por, insistimi i saj i shpeshtë ngriti dyshimet tek një oficere kujdestare e sigurisë, e cila kontrolloi të dyshuarën kryesore për zhdukjen e 1.4 milionë eurove të pasaportave biometrike të kosovarëve.
Pas këtij kontrolli jorutinor, oficerja ka hasur në një telefon celular në xhepin e pantallonave të shtetases gjermane. Burime të Express thonë se me të njëjtin mjet Velijaj dyshohet ti ketë kryer tri telefonata gjatë asaj dite.
Ende nuk po dihet se si i është futur telefoni brenda. Ai është konfiskuar dhe është dërguar si material për tu hetuar meqë kemi vërejtur se ka pasur tri komunikime me të, ka bërë të ditur burimi i Gazetës.
Kontrabandimi i çfarëdo lloj mjeti të komunikimit, armëve apo lëndëve narkotike brenda institucioneve korrektuese është e vepër ligjërisht e dënueshme. Monitorimi dhe mbikëqyrja e punës së shërbimeve korrektuese në Kosovë sipas ligjeve në fuqi bie në kompetencën e Ministrisë së Drejtësisë.
Ndryshe më 12 qershor të këtij viti Natali Velijaj i përfundon paraburgimi prej gjashtë muajsh.
Në rast se deri në atë datë Prokuroria e EULEXit, e cila udhëheq hetimet në rastin e njohur si Skandali i pasaportave, nuk ngrit aktakuzë, ajo do të duhej të lirohej nga kjo masë e sigurisë deri në një vendim tjetër të Gjykatës.
/express/