Mustafa urdhërohet të paguajë 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave
Trupi Gjykues urdhëroi Mustafa të paguajë një shumë të gjithsejtë prej 207.000 euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve për të cilat është shpallur fajtor.
Trupi Gjykues vendosi se kompensimi i secilës prej viktimave mbi bazë individuale është lloji dhe modaliteti më i përshtatshëm për zhdëmtim dhe urdhëroi shuma të ndryshme për t’u paguar për secilën prej viktimave pjesëmarrëse, që nga 2000 euro deri në 80.000 euro.
Këto shuma burojnë nga kërkesa e Mbrojtëses së Viktimave, që Trupi Gjykues i gjykoi të arsyeshme dhe që pasqyrojnë shkallën dhe përmasat e dëmit që pësuan viktimat.
Trupi Gjykues theksoi se juridiksioni i tij në këtë çështje gjyqësore do të përfundojë me nxjerrjen e këtij Urdhri për Zhdëmtim. Rrjedhimisht, Trupi Gjykues ftoi Kryetaren e DHSK-së të caktojë një autoritet gjyqësor përgjegjës për monitorimin dhe mbikëqyrjen e vënies në jetë dhe zbatimit të këtij Urdhri për Zhdëmtim.
Megjithëse Trupi Gjykues rikujtoi se përgjegjësinë për pagesën e kompensimit për viktimat e mban ekskluzivisht Mustafa, ai theksoi se në kohën e lëshimit të Urdhrit për Zhdëmtim, Mustafa nuk zotëron mjete financiare për zbatimin e plotë të këtij urdhri. Rrjedhimisht, Trupi Gjykues theksoi nevojën për përfshirjen e aktorëve të tjerë për zbatimin e Urdhrit për Zhdëmtim, sidomos Kosovën.
Në këtë aspekt, Trupi Gjykues tha se programi i Kosovës për kompensimin e viktimave të krimit mund të jetë një alternativë për zbatimin e Urdhrit për Zhdëmtim, edhe pse shumat maksimale që mund të akordohen nga ky program janë më të ulëta se ato të përcaktuara në Urdhrin për Zhdëmtim.
Rrjedhimisht, Trupi Gjykues ftoi Kosovën që të krijojë një mekanizëm të ri për viktimat e krimeve të përfshira në juridiksionin e DHSK-së për të garantuar trajtimin e barabartë midis viktimave dhe të dyshuarve ose të akuzuarve në proceset e DHSK-së, të cilët mbështeten financiarisht për mbrojtjen e tyre nëpërmjet buxhetit të Kosovës, ndërsa asgjë nuk parashihet për viktimat e krimeve të përfshira në juridiksionin e DHSK-së.
Gjithashtu, Trupi Gjykues vëren se legjislacioni i Kosovës që trajton dëmin dhe lëndimet e pësuara në kontekstin e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, u referohet ekskluzivisht viktimave prej forcave të armikut, që sipas mendimit të Trupit Gjykues, krijon diskriminim midis viktimave të luftës.
Krahas kësaj, Trupi Gjykues rekomandoi krijimin e një fondi për viktimat e krimeve të përfshira në juridiksionin e DHSK-së, me nismën e DHSK-së, në rast se Kosova nuk i përmbush detyrimet që ka ndaj viktimave brenda një kohe të arsyeshme përmes krijimit të një mekanizmi për zhdëmtim. Fondi duhet të mbështetet financiarisht para së gjithash nga Kosova, si dhe nga shtete dhe donatorë të tjerë që dëshirojnë t’u ofrojnë mbështetje viktimave.