Mustafa: Kroacia partner i rëndësishëm i Kosovës
Prishtinë, 7 mars - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti të hënën në takim ministrin e Mbrojtjes të Kroacisë, Josip Buljeviq.
Kryeministri Mustafa e njoftoi ministrin Buljeviq për progresin në Kosovë në të gjitha fushat, duke veçuar fuqizimin e vazhdueshëm të sektorit të sigurisë.
Kryeministri Isa Mustafa vlerësoi lartë bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë në fushën e sigurisë si dhe në fusha tjera.
Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për thellimin e gjithanshëm të bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve bilaterale me Kroacinë si shtet partner i rëndësishëm për Kosovën, tha kryeministri Mustafa, gjatë takimit.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, e njoftoi për avancimin e vazhdueshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila tashmë është plotësisht e gatshme për tu shndërruar në Forcë të Armatosur të Kosovës.
Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kroacisë, Josip Buljeviq, vlerësoi lartë të arriturat në Kosovë, duke shprehur vullnetin e plotë të Qeverisë së Kroacisë për të thelluar bashkëpunimin dhe për të ofruar mbështetje për institucionet e sigurisë në Kosovë.