Mustafa: "Beteja e Koshares", fitorja më e rëndësishme e UÇK-së
Koshare, 9 prill - Nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka nisur të enjten Manifestimi Tradicional Ditët e Shqipes, që shënon 16 vjetorin e Betejës së Koshares.
Me këtë rast, kryeministri Isa Mustafa bëri homazhe te varrezat e dëshmorëve dhe mori pjesë në Akademinë Përkujtimore në Koshare.
Gjeni të plotë fjalën e kryeministrit Mustafa :
Të nderuar familjar të heronjve dhe dëshmorëve të Koshares,
Të nderuar komandantë të luftës së Koshares që jeni sot së bashku këtu me ne,
Të nderuar familjar të të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës,
Të nderuar deputetë,
Ministra,
President Sejdiu,
Dhe të gjithë ju që jeni sot këtu së bashku me ne.
Secili komb ka disa data të veçanta të cilat shënohen me shkronja të arta në kalendarin e ngjarjeve madhore të historisë së tij.
Një ndër datat e tilla e veçojmë 9 prillin e vitit 99, ditën kur u zhvillua njëra ndër betejat më historike të luftës sonë të fundit për liri, Beteja e Koshares.
Kjo betejë ishte njëra ndër fitoret më të rëndësishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe padyshim shënon momentin e kthesës vendimtare të kësaj lufte, sepse atë ditë forcat pushtuese kuptuan se luftën e kishin humbur, ndërsa luftëtarët tanë e panë të jetësohej me sukses disiplina dhe përgatitja e prijësve të kësaj beteje në njërën anë, me guximin dhe sakrificën e ushtarëve që morën pjesë në fitore, në anën tjetër.
Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill të vitit 99, nga Brigada 138 Agim Ramadani shënon njërën prej fitoreve më domethënëse të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në aspektin luftarak, Beteja e Koshares përbën fillimin e luftës frontale për çlirimin e Kosovës. Ajo shënon jo vetëm një fitore ushtarake dhe morale të UÇK-së, por një hapje të rrugës për furnizim me armatim, mbështetje logjistike të shumë zonave të luftës brenda Kosovës, duke filluar kështu shënimin e fundit të pushtetit serb në Kosovë, si dhe agun e lirisë së shumëpritur për të cilin popullit të Kosovës iu deshën shumë vuajtje, sakrifica dhe flijime.
Ashtu sikurse edhe frontet e tjera anekënd Kosovës, Beteja e Koshares deri në ditën e çlirimit ishte aleat tokësor i betejës së NATO-s për lirinë e Kosovës.
Kosharja ishte prova më e qartë e unitetit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë rol historik e vendimtar e ka luajtur Brigada 138, e cila më vonë mori emrin e strategut të saj, Agim Ramadani, dhe kjo u vulos me shënimin e luftës së heronjve Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Xhemajl Fetahu, dhe gjithë heronjve, dëshmorëve dhe veteranëve të kësaj brigade.
Prandaj, të dashura familje të dëshmorëve, të gjithë ne sot ndjehemi krenar me Betejën e Koshares.
Në Koshare luftëtarët tanë të lirisë jo vetëm që i thyen forcat serbe, por edhe shkulën gurin e kufirit ndërshqiptar, i cili pothuajse një shekull e ndau në dysh popullin tonë, duke ia pamundësuar padrejtësisht dhe në mënyrë brutale komunikimin dhe zhvillimin normal.
Pjesëmarrës të nderuar të kësaj akademie përkujtimore,
Sot, Beteja e Koshares ashtu si e gjithë lufta jonë e drejtë për çlirimin nga pushtimi një shekullor, paraqet një inspirim të jashtëzakonshëm për të gjithë ne që të punojmë edhe më shumë për zhvillimin dhe përparimin e vendit tonë.
Heronjtë dhe dëshmorët e Betejës së Koshares u flijuan për të ardhmen e lirë të Kosovës, ndërsa ne si qytetarë dhe si institucione të Republikës së Kosovës, ua kemi borxh atyre të punojmë me tërë dijen dhe tërë përkushtimin tonë, për të jetësuar ëndrrat dhe idealet e tyre, Kosovën e integruar në familjen e madhe të kombeve të lira dhe të qytetëruara euroatlantike.
Ky vend në të cilin jemi mbledhur sot, ka merituar kaherë kujdesin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Ne ua kemi borxh heronjve tanë trajtimin institucional dhe kujdesin njerëzor dhe kombëtar.
Qeveria që unë drejtoj do ta përmbyll projektin e Kompleksit Memorial të Betejës së Koshares, ashtu sikurse do të bëjë çfarë është e mundur që dora e shtetit të ndjehet kudo ku ka shenja të luftës, sakrificës së popullit për liri, pavarësi dhe demokraci.
Ne do të shpejtojmë të gjitha punimet dhe do ta bëjmë të mundur që ky vend të duket ndryshe dhe ta merr formën që e meriton në emër dhe për hatër të dëshmorëve, heronjve dhe të gjithë atyre që luftuan në Koshare.
Ne do tiu jemi tërë jetën mirënjohës, të gjithë atyre shqiptarëve nga të gjitha trevat e Kosovës, nga të gjitha trojet shqiptare për kontributin e tyre në Betejën e Koshares dhe në të gjitha betejat tjera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të gjithë ata do të trajtohen me respekt, me dinjitet, mbi bazën e ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Zoti i bekoftë heronjtë dhe dëshmorët e Koshares dhe të gjithë Kosovës!
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!