Mur: FSK dhe Kosova janë një storie e mirë suksesi
Prishtinë, 9 dhjetor - Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) Agim Çeku, priti sot, në takim pune zotëri Gjonatan Mur (Jonatan Moor) drejtor i Zyrës për çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve.
Në takim e përbashkët ministri Çeku falënderoi lartë angazhimin e SHBA-ve në ndihmë të ngritjes së FSK-së në aspektin strategjik përmes një bashkëpunimi shumë të dobishëm dhe intensiv.
Ministri Çeku e informoi mysafirin nga SHBA-të me sukseset e arritura të FSK-së duke filluar nga plotësimi dhe njohja e Kapaciteteve të Plota Operacionale, bashkëpunimin e mirë me NATO-n, KFOR-in dhe pjesëmarrjen aktive të Kosovës në nismat regjionale të sigurisë.
Po ashtu në këtë takim ai foli edhe për procesin e Rishikimit të Sektorit Strategjik të Sigurisë së Kosovës (RSSSK), duke vlerësuar se ky proces deri më tani është zhvilluar sipas dinamikës së paraparë dhe në drejtimin e duhur.
Zoti Mur nga ana e tij shprehi kënaqësinë për arritjet e deritashme të ministrisë dhe FSK-së dhe konfirmoi gatishmërinë e SHBA-ve për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit të më tejmë, duke vlerësuar se FSK dhe Kosova janë një storie e mirë suksesi.