MPMS me GIZ-in kundër trafikimit të qenieve njerëzore
Prishtinë, 4 tetor - Një partneritet në mes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Organizatës Ndërkombëtare Gjermane GIZ, organizatë kjo e cila i përkrahë institucionet dhe organizatat qeveritare në promovimin dhe zhvillimin politik, ekonomik dhe social dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë bërë të mundur sot nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit në kuadër të zhvillimit dhe implementimit të projektit rajonal Trafikimi i qenieve njerëzore dhe mbrojtja shoqërore.
Nënshkrimi i këtij memorandumi ka një rëndësi të veçantë në kuadër të luftës kundër trafikimit me qenie njerëzore në Kosovë si dhe ri-integrimin afatgjatë të viktimave të trafikimit, qofshin të mitur apo të rritur.
Gjithashtu në kuadër të këtij projekti, rëndësi të veçantë ka edhe fuqizimi i bashkëpunimit me ato vende ku do të shtrihet ky projekt duke bërë të mundur kështu shkëmbimin e praktikave pozitive në mbrojtjen dhe ri-integrimin e kësaj kategorie.
Një implementim të tillë të këtij programi, GIZ ka paraparë në katër shtete: Kosovë, Serbi, Maqedoni dhe Bosnje me një kohëzgjatje prej pesë vitesh.
Ministri i MPMS-së z. Nenad Rashiq i falënderoi të pranishmit për ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme që kanë dhënë në gjetjen e mundësive konkrete për këto projekte dhe potencoi faktin se bashkëpunimi në mes MPMS-së dhe GIZ do të vazhdoj edhe në të ardhmen dhe do të sjellë mbështetjen dhe përkrahjen në ato fusha ku mendohet se sjellin një zhvillim më të qëndrueshëm social.