MPB shkëput kontratën me OESD-në për prodhimin e pasaportave
Prishtinë, 31 janar - Pas shumë përpjekjeve me qëllim të tejkalimit të kontesteve për implementimin dhe realizimin e kontratës për furnizim me pasaporta elektronike mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kompanisë austriake OeSD dhe pas konsumimit të afateve ligjore sipas kontratës për zgjedhjen miqësore të mosmarrëveshjeve, Ministria e Punëve të Brendshme, ka ndërmarrë masat ligjore për ndërprerje të kontratës.
Ministria e ka marrë këtë vendim meqenëse kompania OeSD, ka dështuar të respektojë nenin 12.2 të kontratës, me çrast nuk është bërë furnizimi me kohë me pasaporta elektronike.
\"Është shkelë neni 5 i kushteve të veçanta të kontratës bazë. Nuk është respektuar neni 3 i marrëveshjes, neni 16 i Kontratës, dhe së fundi është refuzuar kërkesa jonë për zgjedhje miqësore në të gjitha pikat kontestuese\", ka njoftuar MPB-ja për mes një komunikate.
Me datën 30.01.2013, Ministria e Punëve te Brendshme ka njoftuar kompaninë OeSD për ndërprerjen e kontratës për furnizim me pasaporta elektronike.
Ministria e Punëve të Brendshme do të hapë tender të ri për furnizim me pasaporta elektronike, sipas ligjit të prokurimit.
\"Ministria e Punëve të Brendshme siguron qytetarët e Republikës së Kosovës se procedura për pajisje me pasaporta biometrike do të vazhdojë normalisht sipas ligjeve në fuqi.\", thuhet në komunikatën e MPB-së.