MPB shënon Javën Globale Kundër Dhunës me Armë
Prishtinë, 17 qershor - Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u shënua sot Javën Globale Kundër Dhunës me Armë.
Në këtë ceremoni morën pjesë, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, zëvendës ministrat e MPB-së, Sasha Rashiq dhe Izmi Zeka, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Reshat Maliqi dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare.
Java Globale Kundër Dhunës me Armë ka për qëllim vetëdijesimin e opinionit publik për parandalimin e përdorimit të pakontrolluar të armëve të zjarrit, sidomos në rastet festive.
Për parandalimin e të shtënave me armë nëpër ahengje dhe dasma nga Departamenti i Përgjithshëm i Policisë është lëshuar Urdhri Operativ ,,Sezoni Veror, po ashtu Departamenti i Rendit Publik në bazë të këtij urdhri, ka hartuar planet operative për ta luftuar këtë dukuri.
Në këtë rast, ministri Bajram Rexhepi tha se për MPB-në, trajtimi i dhunës me armë është një nga prioritetet e saja, prandaj është duke vazhduar zbatimi i Strategjisë për Kontrollin e Armëve të Vogla e të Lehta si dhe Planit të Veprimit. Ministri Rexhepi tha se gjithashtu është zhvilluar një kornizë e integruar legjislative e cila merret me këtë çështje dhe mbikëqyret nga Departamenti i Sigurisë Publike i MPB-së.
Java Globale kundër dhunës me armë organizohet çdo vit në gjithë botën dhe trajton një fenomen që më së miri përshkruhet me frazën e mëposhtme: Armët e vogla janë armë të shkatërrimit në masë, sepse çdo vit afërsisht gjysmë milioni njerëz vriten nga armët e vogla, tha ministri Rexhepi.
Ministri Rexhepi shtoi se përvojat më të mira në rrafshin global tregojnë se dhuna me armë nuk mund të trajtohet vetëm nga institucionet e qeverisë qendrore, por ka nevojë për mbështetje nga shoqëria civile dhe qytetarët.
Do të doja të kërkoja nga shoqëria civile si dhe qytetaret e Republikës së Kosovës që të raportojnë incidente me armë si dhe të avokojnë për sjellje më të sigurt, shtoi ai.
Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, Reshat Maliqi tha se shënimi i Javës Globale kundër dhunës me arme nga MPB-ja do të mbështetet fuqishëm nga Policia e Kosovës, e cila për të arritur këtë qellim ka hartuar plane konkrete të cilat kanë të bëjnë me parandalimin dhe përdorimin e armëmbajtjeve pa leje.
Në kuadër të Planit zhvillimor 2011-2015, njëra ndër objektivat strategjike ka të bëjë me ngritjen e nivelit të sigurisë publike, e që në këtë rast ndërlidhet me parandalimin dhe luftën kundër dhunës me armë, tha drejtori Maliqi.
Ilir Kukaj nga Agjencioni Nacional i Forenzikës theksoi se plumbat bredhës përpos dëmeve materiale mund të shkaktojnë edhe vdekjen. Para se të shkrepni me armë në ajër gjithmonë ta keni parasysh se ju mund t ia merrni jetën dikujt. Mbani mend se është shpejtësia e plumbave ajo që vret, e jo nxehtësia, tha Kukaj.
Në këtë rast, u prezantua në detaje rreziku i një plumbi bredhës , si dhe një skenë e simuluar e krimit në të cilën janë paraqitur faktet reale rreth një rasti tipik të dhunës me armë.