22 Dhjetor 2024

MPB publikoi standardet e kujdesit për viktimat e trafikimit

Prishtinë, 19 shkurt - Ministria e Punëve të Brendshme publikoi sot standardet minimale të kujdesit për viktimat e trafikimit, duke u bazuar në Strategjinë Nacionale dhe Planin e Veprimit Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore të Qeverisë së Kosovës.

Në prezantimin e sotëm morën pjesë edhe Jose Garzon, drejtor i Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në USAID, Jorge B. Vaughan, shef i IOM-it në Kosovë, Laura Van Vorhees, përfaqësuese e AED nga zyra në Washington, Valbona Çitaku, përfaqësuese e Shoqërisë Civile dhe përfaqësues të tjerë.

Ministria e Punëve të Brendshme e ka përgjegjësinë dhe koordinimin e zbatimit të Strategjisë Nacionale në bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe me  USAID-in, Programi Antitrafikim i Kosovës (KAP), që implementohet nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) dhe Akademia për Zhvillim të Edukimit (AED).

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe Koordinatori Nacional Kundër Trafikimit, Fatmir Xhelili në fjalën e tij tha se ”sundimi i ligjit është themeli i prioriteteve dhe aktiviteteve tona në kuadër të të cilave përfshihen një varg aktivitetesh që kanë të bëjnë me luftimin e krimit të organizuar, krimin ordiner, korrupsionin dhe një varg aktivitetesh të tjera negative. Jemi të vetëdijshëm për të arriturat e deritashme dhe me sfidat me të cilat po përballemi, por do të shfrytëzojmë hapësirën e krijuar për adresimin e të gjitha çështjeve në interes të sigurisë dhe sundimit të ligjit në gjithë territorin e Kosovës. Jemi të përkushtuar që me të gjitha kapacitetet që i kemi në dispozicion, gjegjësisht mekanizmat e policisë dhe segmentet tjera, të jemi në nivel të lartë të detyrës që të mbrojmë sundimin e ligjit”.

Duke folur për Raportin e Progresit, Xhelili tha se “Raporti i Progresit i Komisionit Evropian i ka kritikuar të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor rreth sundimit të ligjit, me theks të veçantë shkallës së lartë të trafikimit me qenie njerëzore. Kosova, por edhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor përdoren si vende tranziti për trafikim me qenie njerëzore në drejtim të Bashkimit Evropian. Jemi të vetëdijshëm me gjendjen aktuale në këtë segment, mirëpo Qeveria e Republikës së Kosovës, nuk e pranon këtë trend, prandaj angazhohet me tërë potencialin e vet që të punoj në drejtim të përmirësimit të kësaj situate”, tha zëvendësministri Xhelili.

Duke folur për luftimin e këtyre fenomeneve negative, Xhelili tha se “do të ndjekim fuqishëm politikën e zero tolerancës ndaj të gjitha atyre krimeve dhe veprave që kryhen në trafikim me qenie njerëzore. Ministria e Punëve të Brendshme e ka marrë përgjegjësinë për t’i koordinuar aktivitetet në luftimin dhe parandalimin e të gjitha llojeve të krimit, posaçërisht trafikimit me qenie njerëzore. Në këtë kontekst MPB ka hartuar një varg dokumentesh në të cilat i zhvillon aktivitetet e veta, të cilat i planifikon nga Strategjia Nacionale kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore”.

Duke folur për rezultatet në fushën e trafikimit me qenie njerëzore, zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe koordinatori nacional, Fatmir Xhelili tha se “vlerësojmë se i kemi disa rezultate pozitive të konsiderueshme në zbatimin e planit të veprimit dhe aktiviteteve të parapara në këtë plan të veprimit dhe besoj qëe jemi në rrugë të mbarë për t’i evituar të gjitha ngecjet dhe lëshimet në këtë drejtim”.

Në fund të fjalës së tij, zëvendësministri Xhelili theksoi se “përveç procedurave standarde të veprimit, Grupi Punës ka hartuar edhe dokumentin e rëndësishëm, standardet minimale për kujdesin ndaj viktimave, dokument ky që është i rëndësishëm për të lehtësuar punën në ofrimin e shërbimeve për viktimat e trafikimit. Dokumenti përcakton standardeve minimale të kujdesit për viktimat e trafikimit, që nga faza e identifikimit dhe bazohet duke i respektuar parimet themelore, si respektimi i të drejtave të njeriut, besueshmëria e krijuar në mes të viktimës dhe ofruesit të shërbimeve, respekti i plotë i vullnetit të viktimave të trafikimit nga ana e ofruesve të shërbimeve, mosdiskriminimi nga ofruesi i shërbimeve në baza gjinore, racore, fetare, të moshës, religjionit dhe gjendjes psikofizike. Ministria e Punëve të Brendshme synon që si pjesë përbërëse e  Strategjisë Nacionale dhe Planin e Veprimit Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, të jetë jo vetëm parandalimi, por edhe mbrojtja e tyre”.

Fjalën e morën edhe Jose Garzon, drejtor i Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në USAID, Jorge B. Vaughan, shef i IOM-it në Kosovë, znj. Laura Van Vorhees, përfaqësuese e AED nga zyra në Washington dhe Valbona Çitaku, përfaqësuese e Shoqërisë Civile.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)