MPB promovoi sektorin e traseologjisë
Prishtinë, 15 prill - Në Agjencinë Ekzekutive të Laboratorit Forenzikës, u promovua fillimi i ekspertimeve në sektorin e traseologjisë, e cila njihet si shkencë mbi studimin e gjurmëve në vendin e krimit dhe studimin e metodave për zbulimin, fiksimin dhe ekspertimin e tyre.
Policia e Kosovës (PK) tash e tutje do ta ketë më të lehtë hetimin e krimeve, duke iu falënderuar ketij laboratori, i cili do të fillojë punën nga java e ardhshme.
Derisa më herët është dashur që gjurmët nga vendi i krimit të dërgohen për analiza në Kroaci dhe të pritej konfirmimi i tyre, tash një gjë e tillë do të kryhet në Kosovë.
Në këtë promovim mori pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili vlerësoi lartë fillimin e kësaj disipline, e cila do të luajë një rol të rëndësishëm në luftimin e krimit dhe avancimin e kapaciteteve shkencore të Agjencionit Ekzekutiv të Laboratorit të Forenzikës.
Në një mënyrë kjo është pjesa shkencore apo truri i hetimeve dhe ekspertizave shkencore pa të cilat nuk mund të paramendohen hetimet moderne, puna e prokurorit dhe vendimet meritore të gjykatës për arsye se bazohen në faktografi."
"Diçka që ka munguar në të kaluarën dhe zakonisht gjurmët, qoftë ato të këpucëve, rrobave dhe të tjera, të cilat merren në vendin e ngjarjes zakonisht i kanë çuar në Kroaci, ndërsa tani me ndihmën dhe përkrahjen e OSBE-së ky projekt program është instaluar edhe këtu dhe do të fillojë nga java e ardhshme, ka thënë ministri Bajram Rexhepi.
Rexhepi ka thënë se ky laborator do të krijojë mundësinë që brenda një kohe shumë të shkurtër edhe vendet tjera të rajonit të vijnë këtu për analiza dhe hulumtime. Ai vlerësoi lart përbërjen e ekipit të forenzikës, kuadër ky që sipas tij vështirë krijohet dhe lehtë humbet.
Ndërsa ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj Agjencie, z. Blerim Olluri, tha se shkenca e Forenzikës sot po dëshmohet se ka një rol shumë të rëndësishëm në zbulimin e veprave penale, kryerësve të saj, por edhe në konfirmimin e pafajësisë të të dyshuarve.
Agjencia e Forenzikës ka nevojë për përkrahje nga Qeveria dhe partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që të mbulohen të gjitha disiplinat tjera dhe që mos të dërgojmë dëshmitë jashtë vendit për ekspertizë siç janë ekspertimet GCR, grimcat e barotit, xhamit, ngjyrës dhe fibrave, tha Olluri.
Ndërkaq përfaqësuesi i misionit të OSBE-së, z.Dushko Zavisic potencoi ndihmën që OSBE ka ofruar në zhvillimin e sektorit të sigurisë duke thënë se: qëllimi jonë është që të ndihmojmë në zhvillimin e kapaciteteve të Policisë së Kosovës dhe në bashkëpunim më të, ne do të identifikojmë nevojat dhe do ti zhvillojmë trajnimet e nevojshme që të do të jenë në dobi jo vetëm të PK-së, por edhe të qytetarëve të Kosovës.