MPB prezanton dy broshura për forumet e sigurisë në bashkësi
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, me rastin e prezantimit të broshurave tha se këto kanë për qëllim mbështetjen e funksionalitetit të forumeve për Siguri në Bashkësi dhe vetëdijesimin e palëve të interesit për legjislacionin në lidhje me sigurinë në bashkësi.
Qeveria e Republikës së Kosovës e ka parasysh që siguria në bashkësi duhet të lejojë qytetarët të kërkojnë dhe të marrin përfitime të plota nga jeta e tyre sociale dhe ekonomike, pa frikë apo pengesë nga krimi dhe çrregullimet, tha zëvendësministri Zeka.
Ai shtoi se përfshirja e policisë është qenësore për ofrimin e sigurisë dhe stabilitetit në bashkësi.
Shefi i Sektorit për Zhvillimin e Sigurisë në Bashkësi në OSBE, Dmitrii Pankratov tha se misioni i OSBE-së vazhdon të ofrojë mbështetje jo vetëm të Këshillave Komunale për Siguri në Bashkësi, por edhe të grupit drejtues për monitorimin e Strategjisë për siguri në bashkësi si dhe Planin e veprimit në hartimin e më shumë udhëzimeve të tilla, për të avancuar sigurinë e të gjitha bashkësive në Kosovë.
Është jashtëzakonisht e rëndësishme që siguria në Kosovë të sigurohet në nivele lokale dhe komunale, tha ai.
Botimi i këtij materiali është përkrahur nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe OSBE-ja.