MPB organizon takimin koordinues për planin e udhërrëfyesit rreth AVL-ve
Prishtinë, 2 prill - Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) do të organizojë takimin e parë koordinues për planin e veprimit të udhërrëfyesit rreth AVL-ve.
Në këtë konferencë do të marrë pjesë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, zëvendës shefja e misionit nga ambasada e Francës në Kosovë, znj. Carole Blestel-Feffer, ushtruesi i detyrës së shefit të sektorit të çështjeve ligjore dhe këshillimore nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Hakan Ejdervik, menaxherja e portofolit për qeverisjen dhe ndërtimin e paqes nga UNDP, znj. Marta K. Gazideda, menaxheri i projektit të UNDP, Alain Lapon, koordinatore e SEESAC, znj. Bojana Balon si dhe përfaqësues të tjerë nga ambasada e Gjermanisë, Italisë, Suedisë, Norvegjisë, Belgjikës dhe Holandës.
Udhërrëfyesi zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet relevante të rajonit nën kujdesin e Republikës Federale të Gjermanisë dhe përkrahjen teknike të SEESAC/UNDP dhe në koordinim me Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Komisionin Evropian.
Plani i Veprimit për zbatimin e Udhërrëfyesit u miratua gjithashtu nga Qeveria e Republikës së Kosovës në dhjetor 2018.