MPB nuk ka pranuar raport nga AKI për situatën në Kumanovë
Prishtinë, 18 maj - Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga kryetari i komisionit Daut Haradinaj, kanë raportuar sot ministri i Punëve të Brendshme dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, lidhur me ngjarjet në Kumanovë të Republikës së Maqedonisë.
Me këtë rast, ministri Hyseni duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të Komisionit, ka mohuar të ketë pasur informata nga Agjensia Kosovare e Intelegjencës lidhur me situatën në Maqedoni.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës nuk kanë pranuar asnjë raport të AKI-së lidhur me situatën në Kumanovë. Ne nuk kemi qenë të njoftuar me kohë për këto veprime në territorin e Maqedonisë, tha ministri Hyseni.
Më tej, Hyseni ka sqaruar se që nga 21 prilli kur ka ndodhur incidenti i Gushicës, MPB-ja ka ndërmarrë të gjitha veprimet e lejuara me ligj në territorin e Republikës së Kosovës, që të sigurojë kufririn dhe të ndërmarrë veprime operative gjatë vijës kufitare në atë zonë, në mënyrë që të mos ketë veprime kriminale në territorin e Kosovës.
Ndërkaq, shtoi se ajo çfarë ka ndodhur në Kumanovë është përgjegjësi ekskluzive e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.
Ministri Hyseni tha se duhet të bëhet një hetim ndërkombëtar për konflitin që ka ndodhur në Kumanovë, ndërsa ka theksuar se MPB-ja në vazhdimësi ka bërë përpjekje të parreshtura për informata të sakta nga autoritetet maqedonase dhe do të vazhdojë ta bëjë atë që është në juridiksionin e MPB-së.
Sa i përket shqetësimeve që u ngritën nga anëtarë të Komisionit edhe lidhur me bastisjet e shtëpive të pjesëtarëve kosovarë të arrestuar në Maqedoni, drejtori i Përgjthshëm i PK-së, Shpend Maxhuni, tha se bastisjet kanë ndodhur me urdhër të Prokuorit.
Sa i përket njoftimit të familjeve, ne nuk mund të konfirmojmë vdekjen e dikujt derisa nuk kemi një çertifikatë mbi vdekjen e shtetasve të Kosovës tha Maxhuni, ndërsa sqaroi se rezultohet të jenë 9 kosovarë të vrarë dhe 21 të arrestuar.
Ndërkaq, duke u përgjegjur në pyetjet e anëtarëve edhe lidhur me takimet e përbashkëta mes Presidentes, Kryeminstrit dhe ministrit të MPJ-së dhe ministrit Hyseni, ai sqaroi se ka pasur takime të rregullta për të analizuar situatën për veprimet e Policisë drejt parandalimit të eskalimit të situatës në territorin e Kosovës.