MPB nënshkruan kontratën për furnizim me letërnjoftime biometrike
Prishtinë, 19 gusht - Ministria e Punëve të Brendshme dhe përfaqësues të kompanisë Giesecke & Devrient, kanë nënshkruar sot kontratën për furnizim me letërnjoftime biometrike.
Kontrata është nënshkruar pas përfundimit të procedurave për tenderin, Furnizimi me letërnjoftime elektronike, ku është konstatuar se ofertuesi Giesecke & Devrient nga Gjermania, ka ofruar tender ekonomikisht më të favorshëm, me çmim prej 7,879,043.00 euro.
Letërnjoftimi biometrik i Kosovës do tiu mundësojë qytetarëve që të kryejnë shërbime të ndryshme elektronike, të parapara në Strategjinë për e-qeverisje.
Me lëshimin e letërnjoftimit biometrik, Ministria e Punëve të Brendshme do të plotësojë edhe njërin nga kriteret e parapara për procesin e liberalizimit të vizave, sa i përket sigurisë së dokumenteve.
Kjo kontratë përfshin furnizimin me letërnjoftime biometrike dhe sistemin për aplikim dhe personalizim.
Pajisja e qytetarëve me letërnjoftime biometrike, do të fillojë në fund të këtij viti.