MPB ndau mirënjohje për kontribut kundër trafikimit
Prishtinë, 22 tetor - Pas përfundimit të fushatës një mujore kundër trafikimit me qenie njerëzore, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Fatmir Xhelili organizoi sot një takim falënderues me organizatat vendëse dhe ndërkombëtare, si dhe me mediat për punën e tyre në luftimin e kësaj dukurie.
Me këtë rast, z.Xhelili tha se luftimi i krimit të organizuar në përgjithësi kërkon punë, përkushtim dhe motivim të shtuar, pasi është interes i shtetit për të pasur siguri, por gjithashtu është interesi kryesor për të mbrojtur pronën, të ardhurat, fitimin e shtetit prej keqpërdoruesve dhe prej atyre që përfitojnë prej djersës së qytetarëve, si dhe atyre që tentojnë për ti devijuar të hollat, të cilat janë dedikuar për buxhetin e Kosovës.
\"E falënderoj Grupin punues, i cili e ka menaxhuar fushatën dhe njëherësh i falënderoj të gjithë organizatat joqeveritare, të cilat na kanë ndihmuar në këtë drejtim dhe vazhdimisht kanë qenë partnerë në hapat që i kemi marrë, në drejtim të ngritjes së kapaciteteve të segmenteve tona për të rritur cilësinë dhe profesionalizim e kuadrove tona kundër trafikimit me qenie njerëzore, tha ndër të tjera zëvendësministri Xhelili.
Në fund të këtij takimi, në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë në këtë fushatë dhe prezantimin e denjë e korrekt në media, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z.Xhelili ndau mirënjohje për organizatat joqeveritare dhe për mediat.