MPB mirëpret rekomandimet e DASH lidhur me Narkotikët
Prishtinë, 4 mars - Ministria e Punëve të Brendshme e vlerëson raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit lidhur me narkotikët, i cili raport është në përputhje me gjendjen aktuale.
Raporti vlerëson se Republika e Kosovës sikurse edhe vendet tjera të Ballkanit Perendimor mbetet vend tranzit për trafikimin e narkotikëve
Raporti sipas MPB-se i vlerëson pozitivisht përpjekjet e Policisë së Kosovës në luftimin e trafikimit me narkotikë, konfiskimin gjithnjë në rritje të sasisë së narkotikëve, duke nënvizuar nevojën për ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe logjistike për Drejtorinë e Hetimit të Trafikimit me Narkotikë në kuadër të Policisë së Kosovës.
Ministria e Punëve të Brendshme planifikon rishikimin e Strategjisë Nacionale për Narkotikë duke u fokusuar në parandalimin e ofertës, kërkesës dhe trajtimit të përsonave të varur nga përdorimi i substancave narkotike.
Luftimi i Krimit të Organizuar në përgjithësi dhe i narkotikëve në veçanti kërkon një bashkëpunim të ngushtë rajonal dhe ndërkombëtar.
Si rjedhojë, MPB-ja dhe Policia e Kosovës janë partner të rëndësishëm në një varg të projekteve të karakterit rajonal si: UNODC, ILECU, EMCDDA, etj.
MPB-ja mbetet e përkushtuar në impelmentimin e të gjitha objektivave dhe aktiviteteve të karakterit vendor, rajonal dhe ndërkombëtar me qëllim të parandalimit dhe luftimit të trafikimit me substance narkotike.