MPB me sistem për Menaxhimin e Burimeve të Informacionit
Gjatë kësaj ceremonie, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se me sistemin RIMS, MPB do të plotësojë misionin e saj, të jetë profesionale, transparente, efektive dhe në shërbim të publikut.
Me këtë rast ai falënderoi Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe ICITAP-in për kontributin e dhënë në realizimin e këtij projekti.
Efikasiteti në punë, arritja me kohë e rezultateve të parapara dhe planeve e programeve të ndryshme, si dhe rritja e transparencës, janë çështje kryesore për një administratë të shëndoshë dhe në harmoni me përpjekjet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, tha ministri Rexhepi.
Ndërsa ambasadorja e ShBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, tha se shpreson që ky sistem do të jetë vetëm nismëtar për MPB-në, i cili gjithashtu, do të shërbejë si shembull për ministritë tjera.
Gjithmonë jemi gati për të dhënë mbështetje dhe do të vazhdojmë me tutje në mënyrë që ky sistem i ri të ketë një sukses të madh, tha ambasadorja Jacobson.
Menaxheri i programit të ICITAP, Cameron R. Fisher, ritheksoi edhe një herë rëndësinë e madhe që ka sistemi RIMS për MPB-në dhe agjencitë e saj.
Me këtë rast, ai dhuroi një mirënjohje për Sekretarin e Përgjithshëm të MPB-së, Driton Gashi, duke e falënderuar për punën dhe angazhimin e madh që ka treguar në zbatimin e këtij projekti.
Sistemi për Menaxhimin e Burimeve të Informacionit (RIMS), ndihmon në përmbushjen e qëllimeve strategjike për rritjen e efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ky sistem digjitalizon proceset e brendshme dhe e bën të mundur, e-qeverisjen në MPB dhe agjencitë e saj.
Kompania zhvilluese e sistemit RIMS është CREA-KO, Prishtinë. Ndërkaq, kosto e këtij projekti është rreth 500 mijë dollarë.