MPB mbajti takimin e radhës për Liberalizim të Vizave me BE-në
Prishtinë, 18 korrik - Në Ministrinë së Punëve të Brendshme u mbajt takimi i njëmbëdhjetë i radhës i Grupit Punues për Liberalizimin e Vizave (GPLV) me Bashkimin Evropian.
Në këtë takim mori pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ministrja për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku, zyrtarë të lartë të MPB-së dhe ministrive tjera, si dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve të vendit dhe atyre ndërkombëtare.
Në këtë takim u prezantuan të arriturat e fundit të institucioneve të vendit lidhur me procesin e liberalizimit të vizave me BE-në.
Ministri Rexhepi para zyrtarëve të pranishëm theksoi se gjatë periudhës raportuese është përmbyllur me sukses përzgjedhja e kompanisë për prodhimin e pasaportave biometrike dhe se është finalizuar projekti për skanimin dhe digjitalizimin e regjistrave civil.
Ministri Rexhepi gjithashtu theksoi se i gjithë mekanizmi ndërinstitucional për ri-integrimin e personave të riatdhesuar është funksional dhe ka shënuar rritje të konsiderueshme në trajtimin e kërkesave për ndihmë personave të riatdhesuar.
Përkundër punëve të mëdha që kemi kryer, ka ende punë të cilat duhet ndërmarrë që të përmirësojmë sundimin e ligjit në Kosovë dhe njëkohësisht të përfitojmë nga liberalizimi i vizave. Me hapjen e dialogut për liberalizim të vizave do të krijohet një situatë e re e cila do ta dinamizojë procesin, kështu që duhet përmbajtur deri në fund të procesit të liberalizimit, tha ministri Rexhepi
Ndërsa ministrja, Vlora Çitaku tha se me datën 1 korrik ka përfunduar raundi i takimeve të Dialogut të procesit të Stabilizim Asociimi. Në kuadër të Nën-komitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri janë diskutuar të gjitha çështjet të lidhur me procesin e liberalizimit të vizave.
Ministrja Çitaku tha po ashtu se Ministria e Integrimit Evropian dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë koordinuar përgatitjen e pyetësorit për zbatimin e procesit të ri-integrimit në nivel lokal.
Misioni nga MIE, MPB, MAPL dhe të tjerë për vlerësimin e zbatimit të obligimeve në kuadër të komunave do të zbatohet gjatë këtij muaji duke vizituar të gjitha komuna, tha ministrja Çitaku.
Ajo bëri të ditur se asistenca e BE-së për vitet 2011-2013 do të jetë 70 milionë euro dhe se 30 për qind e asistencës së përgjithshme do të fokusohet në asistencën për zbatimin e kritereve për procesin e liberalizimit të vizave.
Grupi Punues për Liberalizim të Vizave me BE-në mban takime të rregullta me çrast nga përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës raportohet për të arriturat e fundit për procesin e Liberalizimit të Vizave me BE-në.