MPB lanson fushatën kundër trafikimit me qenie njerëzore
Me këtë rast, Koordinatori Nacional Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore dhe zëvendësministri Rashiq, tha se me anë të kësaj fushate përcillet vendosmëria e Qeverisë së Republikës së Kosovës në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore.
Prioritet i MPB-së dhe i tërë Qeverisë është luftimi dhe parandalimi i këtij fenomeni. Kosova ka lëvizur me vendosmëri në drejtim të Evropës, dhe në këtë rrugë duhet të ballafaqohemi me të gjitha sfidat, dhe njëra prej sfidave është pa dyshim respektimi i të drejtave të njeriut dhe ruajtja e dinjitetit njerëzor për të gjithë, tha zëvendësministri Rashiq.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi tha se është aprovuar Ligji për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit.
Përmes këtij Ligji synojmë vënien e dispozitave juridike përmes së cilave autoriteteve kompetente vendore u jepen të drejta, obligime dhe përgjegjësi, jo vetëm në parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz, por me fokus të veçantë mbrojtjen e viktimave të trafikimit, tha ministri Rexhepi.
Gjithashtu, ministri Rexhepi bëri të ditur se drejtoria e specializuar në Policinë e Kosovës e cila merret me hetimin e rasteve të trafikimit, gjatë këtij viti ka arrestuar 150 persona dhe ka identifikuar 48 viktima të cilat janë vënë në mbrojtje të menjëhershme.
Ndërsa ministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Ramë Buja shprehi gatishmërinë e plotë në angazhimin e vazhdueshëm të institucioneve arsimore në luftën e trafikimit me qenie njerëzore.
Në këtë ceremoni gjithashtu morën pjesë: zëvendës-shefja e misionit në ambasadën e SHBA-ve, Kelly Degnan, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, dhe Thomas Gnocchi, shef i sektorit për Politikë, Ekonomi dhe Integrime Evropaine në Komisionin Evropian.
Hapi sytë është fushatë parandalimi që ka në shënjestër fëmijët, të rinjtë dhe gratë të cilët janë viktima apo viktima potenciale të shfrytëzimit seksual, të punës dhe lypsarisë.