MPB lansoi sot fushatën kundër krimit të organizuar
Prishtinë, 15 tetor Ministria e Punëve të Brendshme lansoi fushatën njëmujore kundër krimit të organizuar në Republikën e Kosovës.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhelili tha se edhe në Kosovë format e krimit të organizuar po fillojnë të marrin trajtë të ngjashme zhvillimi si në vendet tjera në regjion, të cilat janë duke e kaluar fazën e tranzicionit.
Kryeministri dhe Qeveria e Republikës së Kosovës me kohë ndërmorën masa adekuate për tu përballur me këto dukuri. Ministria e Punëve të Brendshme u autorizua nga Qeveria që ti formojë grupet punuese ndërministrore dhe ti koordinojë aktivitetet në drejtim të identifikimit të problemeve në këtë rrafsh, të cilat probleme i kemi përcaktuar si objektiva në strategjitë kundër krimeve të organizuara dhe njëkohësisht jemi përcaktuar për politikat dhe prioritetet.
Edhe kryeprokurori, Ismet Kabashi tha se nuk mund të luftohet krimi i organizuar dhe llojet tjera të krimeve pa vetëdijësimin e qytetarëve. Vetëdijësimi i qytetarëve duhet të jetë ndër qëllimet kryesore të kësaj fushate dhe duhet ti bindim qytetarët se ata duhet të raportojnë krimin e organizuar. Jemi të vetëdishëm se me liberalizimin e vizave dhe me heqjen e kufijëve në Evropë është lehtësuar edhe veprimtaria e kriminelëve, tha ai