MPB lansoi fushatën e promovimit të Inspektoratit Policor
Prishtinë, 12 dhjetor - Ministria e Punëve të Brendshme bëri lansimin e fushatës për promovimin e punës së Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), e cila ka për qëllim promovimin e autorizimeve të reja të IPK-së dhe njoftimin e qytetarëve mbi procedurën për ankesat ndaj sjelljeve të punonjësve policorë.
Në ceremoninë e hapjes së kësaj fushate morën pjesë: zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Sasha Rasic, kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Fitim Shishani, udhëheqësi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Werner Almhofer etj.
Zëvendësministri Sasha Rashic, bëri të ditur se një prej objektivave kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme është siguria e qytetarëve të Kosovës dhe lufta kundër krimit të organizuar.
Këto qëllime arrihen nëse të gjithë në Qeveri luftojmë suksesshëm kundër fenomeneve negative në Kosovë. Lufta kundër krimit të organizuar është një prej prioriteteve më të mëdha të MPB-së dhe Qeverisë dhe ne jemi të përbetuar që të punojmë në këtë qëllim, tha zëvendësministri Sasha Rashic.
Ai shtoi se Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë të investojë në aftësimin e Policisë së Kosovës dhe ngritjen e vazhdueshme të kualiteteve etike brenda saj.
Ne do të kemi mbështetjen e IPK-së që shërbimi i Policisë së Kosovës të jetë sa më kualitativ në çdo aspekt dhe qytetarët tanë të jenë të kënaqur dhe të sigurt. Një pjesë e rëndësishme e këtij procesi janë edhe qytetarët tanë që do ti drejtohen IPK-së për çdo shkelje të mundshme të ligjit nga ana e pjesëtarëve të policisë, tha zëvendësministri i MPB-së, Sasha Rashic.
Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Fitim Shishani, tha se misioni kryesor i IPK-së, është të sigurojë një polici demokratike dhe transparente, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.
IPK-ja ka obligim që duke ushtruar veprimtarinë e vet ligjore, të garantojë qytetarët që Policia e Kosovës po i ushtron kompetencat e saj në përputhje me ligjin dhe standardet më të larta ndërkombëtare. Mbi të gjitha të garantojë qytetarët se policia po respekton të drejtat dhe liritë e parapara me Kushtetutën tonë, tha Shishani.
Ai shtoi se për përmbushjen e misionit të vet ligjor, IPK-ja do të bashkëpunojë ngushtë me qytetarët e Republikës së Kosovës, që janë viktima, apo dëshmitarë të një sjelljeje të keqe të punonjësve të policisë.
Ne do të punojmë vazhdimisht të fitojmë dhe të ruajmë besimin e qytetarëve përmes hetimeve të drejta dhe transparente dhe jemi të vendosur për të hetuar çdo ankesë që na drejtohet, për çdo shkelje të kryer nga punonjësit e policisë për të cilën ne kemi kompetencë, tha kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, Fitim Shishani.
Ndërsa udhëheqësi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Werner Almhofer, tha se qëllimi i përbashkët i OSBE-së dhe IPK-së është të ndihmohet përmirësimi i policisë dhe lidhja e saj me publikun.
OSBE është e gëzuar që po përkrahë këtë fushatë që është iniciuar nga IPK-ja. Qëllimi i kësaj fushate nuk është për të njollosur policinë, por për të ndihmuar atë të bëjë përmirësime të mëtejme në sjelljen e saj, tha Almhofer
Ai shtoi se IPK mund të funksionojë si duhet vetëm nëse publiku vendosë të adresojë ankesat e tyre.
Duke bërë një gjë të tillë, ata ndihmojnë në parandalimin e gabimeve të mundshme që policia mund të bëjë në të ardhmen, tha Almhofer
Fushata për promovimin e punës së Inspektoratit Policor të Kosovës do të zgjasë prej 12 deri më 25 dhjetor dhe është mbështetur nga misioni i OSBE-së në Kosovë.