MPB ka shpërndarë 24 kamionë për njësitet e zjarrfikësve
Kjo është realizuar në kuadër të fazës së parë të projektit që financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Punëve të Brendshme. Në fazën e dytë të projektit, që do të përfundojë më 30 qershor, do të shpërndahen edhe 14 kamionë të tjerë.
Në këtë ceremoni morën pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa, ministri i Punëve të Brendshme, z. Skender Hyseni dhe zyrtarë të tjerë vendorë.
Me rastin e kësaj ceremonie, ministri Hyseni tha se ky projekt është në funksion të ngritjes së efikasitetit të mëtejmë, të njësive vitale siç janë njësitet e zjarr-fikjes në komuna të ndryshme të Kosovës.
Duke pasur parasysh kompleksitetin dhe rëndësinë e fushës së emergjencave në këtë kohë të zhvillimeve të të gjithë sektorëve në vend, MPB do të intensifikojë dhe do të shtojë përpjekjet e saj në drejtim të realizimit të objektivave të planifikuara me planin e reagimit kombëtar, tha ministri Hyseni, duke theksuar se ajo që është primare në këtë fazë është harmonizimi i infrastrukturës ligjore e cila do të rregullojë statusin e shërbyesve të zjarr-fikjes.
Ndërsa, kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa tha se këtë rast e konsideron si një ngjarje të madhe sepse ka të bëjë me përkujdesjen për pajisen e një fushe e cila është shumë e rëndësishme, e cila mbulon një fushë të rëndësishme të ruajtjes së pasurisë dhe jetëve të qytetarëve dhe të njerëzve që merren me këtë fushë.
Ai premtoi se në këtë fushë do të investohet edhe më tutje dhe do të tregohet një kujdes i veçantë.
Vlera e totale e këtij projekti që përfshinë 38 kamionë të zjarr-fikjes është 5. 334. 659, 93 euro.