MPB-ja merr në menaxhim kampin Belvedere
Mitrovicë, 27 shtator - Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati dhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, kanë nënshkruar të martën një memorandum mirëkuptimi për dhënien në shfrytëzim MPB-së kampin Belvedere në Frashër.
Ky kamp i ishte lënë për shfrytëzim komunës nga KFOR-i francez.
Në bazë të memorandumit të bashkëpunimit, MPB do të jetë përgjegjës për menaxhimin e këtij kampi.
Përveç shfrytëzimit për nevojat e MPB-së, që poashtu do të jetë përgjegjës edhe për sigurimin e kampit, komuna ka mundësi të shfrytëzoj një pjesë të caktuar të kampit për strehimin e rasteve sociale.
Kryetari Kastrati dhe ministri Rexhepi e vlerësuan shumë të rëndësishme mundësinë për shfrytëzimin e këtij kampi, si për nevojat e MPB ashtu edhe për nevojat e komunës.
Sipas memorandumit të nënshkruar të gjitha shpenzimet për kampin Belvedere do ti bartë MPB-ja.