17 Maj 2024

MPB filloi me lëshimin e letërnjoftimeve biometrike

Prishtinë, 9 dhjetor - Ministria e Punëve të Brendshme sot ka filluar lëshimin e letërnjoftimeve biometrike të identitetit për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Letërnjoftimet biometrike përmbushin kërkesat e fundit teknologjike dhe të sigurisë, të domosdoshme sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) dhe implementimit të protokolleve të sigurisë së lartë, siç është Supplemental Access Control (SAC).

Me këtë rast, ministri Bajram Rexhepi tha se po përmbushet edhe një kusht për liberalizmin e vizave.

“Është një ditë e rëndësishme për Kosovën, prej sot e përmbushim edhe një kusht për liberalizmin e vizave”, tha ministri Rexhepi.

Ministri Rexhepi theksoi se letërnjoftimet biometrike janë të një kualiteti të lartë për arsye se të dhënat që janë në çipin e letërnjoftimit janë të dhëna të avancuara, e që do të jenë obliguese për shtetet e Bashkimit Evropian që t’i përdorin që nga viti 2015.

“Qytetarët e Kosovës do të kenë shumë përfitime nga ky letërnjoftim biometrik, për arsye se me shtetet me të cilat kemi marrëveshje, mund të kalohet kufiri vetëm me letërnjoftim, pa pasaportë”, tha Rexhepi.

Gjatë përgatitjes së kërkesave teknike, stafi teknik i MPB-së është kujdesur që kartela e identitetit e Kosovës t’i plotësojë të gjitha kushtet teknike të kërkuara dhe obliguese nga BE-ja.

Sistemi i ri përcjellës jo vetëm që do të thjeshtësojë procedurat për aplikim për qytetarin, lidhjen dhe verifikimin direkt me regjistrin qendror të gjendjes civile, por edhe do të mundësojë njoftimin e qytetarit për përgatitjen e dokumentit biometrik të tij përmes mesazhit telefonik (SMS) dhe postës elektronike (e-mail).

Kompania e kontraktuar nga MPB për furnizimin me letërnjoftime biometrike është kompania gjermane Giesecke & Devrient. Çmimi i përgjithshëm i projektit është 7 milionë e 800 mijë euro.

Kostoja për mbulimin për letërnjoftim e shpenzimeve është dhjetë euro.

Për herë të parë, letërnjoftimet do të jepen edhe në gjuhën e komunitetin turk.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)