MPB e vizituan zyrtarë të Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë
Prishtinë, 11 korrik - Zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë pritur në takim zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme të Republikës Federale të Gjermanisë.
Ky takim është në kuadër të takimeve bilaterale për zbatimin e Marrëveshjes së Ri-pranimit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë.
Temë diskutimi ishte procesi i ri-pranimit dhe ri-integrimit të personave të riatdhesuar. Më këtë rast u vlerësua se procesi i ri-pranimit është duke u bërë sipas dinamikës së paraparë dhe sipas Marrëveshjes së Ri-pranimit mes të dyja vendeve.
Gjithashtu, gjatë takimit u bisedua për qasjen dhe shërbimet sociale për personat e ri-pranuar dhe për bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare, të përfshira në procesin e ri-integrimit.
Të dy palët bashkërisht u dakorduan që të vazhdohet edhe më tutje niveli i bashkëpunimit mes dy ministrive.